Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u organizua sesion informues mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale

29 Prill, 2025

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan në kuadër të bashkëpunimit me Agjencinë për Informim dhe Privatësi dhe Platformën Civikos, u organizua një sesion informues mbi rëndësinë e Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Ky sesion u udhëhoq nga Kushtrim Mustafa, udhëheqës i Divizionit për Inspektim dhe Kontroll në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, ku pati pjesëmarrës nga stafi dhe studentët e universitetit, përfaqësues të Komunës së Gjilanit, OJQ-ve, bizneseve dhe qytetarëve aktiv.

Qëllimi i sesionit informues ishte diskutimi mbi Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe rëndësinë e garantimit të privatësisë së informacionit për individët.

Gjatë sesionit, u theksua se të dhënat personale, përkatësisht ato të ndjeshme, duhet të trajtohen me kujdes dhe të mbrohen nga keqpërdorimi. Nga Agjencia për Informim dhe Privatësi u tha se qytetarët duhet të jenë të informuar dhe ndërgjegjësuar mbi të drejtat e tyre në lidhje me mbrojtjen e të dhënave personale dhe për të siguruar që të dhënat të trajtohen në përputhje me standardet ligjore dhe etike.

Po ashtu udhëheqës të Agjencisë për Informim dhe Privatësi than se Agjencia mbikëqyr dhe garanton mbrojtjen e të dhënave personale, për të siguruar që informacionet e ndjeshme të trajtohen në mënyrë të sigurt dhe të drejtë.

Në sesionin informues pjesëmarrësit patën mundësinë për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave mes grupeve të ndryshme të interesit. Ata diskutuan për masat që mund të ndërmerren për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale dhe për të garantuar që informacionet e individëve të ruhen dhe përdoren vetëm për qëllime të përcaktuara ligjërisht.

Sesioni përfundoi me angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve për të vazhduar edukimin dhe ndërgjegjësimin rreth rëndësisë së mbrojtjes së të dhënave personale dhe respektimit të privatësisë.