Unioni i Studentëve Pro Evropian në kuadër të projektit VULLNETARIZMI STUDENTOR DHE KRIJIMI I PËRVOJAVE EVROPIANE, ka realizuar disa aktivitete, përfshirë debatin mbi vullnetarizmin dhe ciklin e trajnimeve me studentët e Universitetit Kadri Zeka në Gjilan.
Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, është mbajtur ceremonia e certifikimit të studentëve për Vullnetarizmin rinor. Në këtë ceremoni pjesëmarrës ishin u.d. Rektori i Universitetit, Arben Dërmaku dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.
Me rastin e ndarjes së certifikatave u.d. Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, përgëzoi studentët për punën në përhapje të idesë së vullnetarizmit, duke thënë se kjo do të jetë një shprehje e mirë e kulturës sonë në përgjithësi. Ndërsa Kryetari I Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, tha se do të mundohemi që si komunë ti përkrahim të gjitha iniciativat që kanë të bëjnë me vullnetarizmin, sepse përmes tyre kontribuojmë në ngritjen e nivelit të qytetarit aktiv, e sidomos studentëve. Në ciklin e trajnimeve të mbajtura,kanë marrë pjesë rreth 150 studentë të drejtimeve të ndryshme të të gjitha njësive akademike të Universitetit Kadri Zeka, duke përfshirë studentët e Fakultetit të Edukimit, Fakultetit Juridik dhe Ekonomik.
Studentët u ndanë të kënaqur, me shpresë se në të ardhmen do të realizohen sa më shumë trajnime të tilla. USPE si organizatë do të vazhdojë tutje me aktivitetet e saj, duke ofruar aftësime profesionale jo-formale të natyrave të ndryshme. Duke uruar studentët për njohuritë që kanë marrë, shpresojmë që të rritet interesimi për punën vullnetare, si vlerë e një rëndësie të veçantë për shoqërinë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan