Në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, është mbajt takim informues për mundësinë e studimit dhe fitimit të bursave në Gjermani.

12 Qershor, 2015

Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD), organizoi një takim në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, për të informuar stafin akademik dhe studentët për mundësinë e fitimit të bursave për të studiuar në ndonjërin nga universitetet e Gjermanisë. Ky takim kishte për qëllim shpalosjen e mundësive që ofron DAAD përmes formave të ndryshme, e sidomos ato përmes projektit ERASMUS.
Katharina Ertle, përfaqësuese nga Shërbimi për Këmbim Akademik Gjerman (DAAD), fillimisht është takuar me Naim Syla, u.d. rektor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, i cili ka falënderuar përfaqësuesen e DAAD për angazhimin dhe mundësinë që Shteti i saj ofron për Kosovën dhe po ashtu ka informuar atë për të arriturat dhe vështirësitë e institucionit që ai drejton.
Ndërkohë, Katharina Ertle, përfaqësuese nga Shërbimi për Këmbim Akademik Gjerman (DAAD), para stafit akademik dhe studentëve të UKZ-së, ka thënë se studentët që dëshirojnë të shkojnë për studim përmes DAAD-së ose për praktikë në programe të ndryshme, mund të jenë nga të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Ajo ka thënë se Shërbimi Gjerman për Shkëmbim Akademik (DAAD) për studentët, të diplomuarit dhe doktorantët çdo vit ofron bursa të ndryshme për qëndrime studimore apo të arsimimit të mëtejmë në shkolla të larta dhe universitete gjermane.
Synimi i DAAD është që përfituesit e këtyre bursave të mbledhin përvoja jashtë vendit dhe të krijojnë rrjete me bursistë të tjerë, të cilat do të funksiononin edhe përtej periudhës së mbështetjes dhe përtej kufijve tokësor të Gjermanisë.
Në fund të takimit, nga stafi akademik, po ashtu edhe nga studentët pati interesime të ndryshme rreth mundësisë së fitimit të bursave për të studiuar në shtetin e Gjermanisë.
DAD2DAD3