Në UKZ u mbajt trajnim për dy hulumtime me studentët e FShS dhe nxënësit maturantë të Gjilanit

23 Prill, 2025

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, përfundoi trajnimi njëditor për dy hulumtime me studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale – programi studimor Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studimet Evropiane, si dhe me nxënësit maturantë të shkollave të mesme të Gjilanit. Studentët dhe nxënësit e interesuar për programin e lartpërmendur, janë trajnuar nga profesorit Avni Rudaku.

Trajnimi përfshiu përzgjedhjen e dy temave hulumtuese si: “Hulumtimi mbi preferencat e të rinjve për destinacionet turistike në Evropë” dhe “Ndikimi i distancës sociale ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Për hyrjen në hulumtim, qëllimet, objektivat, metodat, mostrat, pyetjet hulumtuese, hipotezat, të dhënat primare dhe sekondare, shqyrtimin e literaturës, rezultatet, diskutimet, përfundimet, rekomandimet, referencat dhe shtojcat e hulumtimit, Profesori Daku, së bashku me nxënësit dhe studentët, përpiluan dy pyetësorë dhe intervista që do të zbatohen në kuadër të dy hulumtimeve nga Fakulteti i Shkencave Sociale në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Dy hulumtimet janë pjesë e laboratorit të ri të Fakultetit të Shkencave Sociale, duke i angazhuar studentët në hulumtime në terren dhe duke promovuar përmes bashkëpunimit studentë-nxënës të shkollave të mesme e të larta të Komunës së Gjilanit, orientimin dhe promovimin e programit të ri të akredituar.

Ndryshe, para trajnimit janë realizuar një sërë takimesh dhe vizitash të dekanatit të Fakultetit të Shkencave Sociale, stafit akademik dhe studentëve në shkollat e mesme të Gjilanit, duke informuar nxënësit maturantë për programin e ri, duke rezultuar në fund edhe me një bashkëpunim të shkëlqyer me shkollat e mesme të Gjilanit, për të realizuar dy hulumtime të reja, të cilat do të prezantohen në të ardhmen.