Në UKZ u mbajt punëtori mbi hartimin dhe aplikimin e projekteve shkencore

30 Qershor, 2025

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan u mbajt një punëtori për stafin akademik, me temën “Hartimi dhe aplikimi në projekte shkencore, kombëtare dhe ndërkombëtare”, e udhëhequr nga Prof. Dr. Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Qëllimi i punëtorisë ishte mbështetja e grupeve hulumtuese të formuara nga njësitë akademike të UKZ-së, në procesin e planifikimit dhe hartimit të projekteve konkrete hulumtuese, me fokus në periudhën e ardhshme akademike. Punëtoria synoi të nxisë një kulturë më të fuqishme të kërkimit shkencor dhe të rrisë pjesëmarrjen e stafit akademik në aplikimet për grante kombëtare dhe ndërkombëtare.

Prof. Dr. Blerim Rexha u fokusua veçanërisht në mundësitë që ofron Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) përmes Programit Kombëtar të Shkencës (PKSh), duke theksuar rëndësinë e përdorimit të veglave softuerike të avancuara të bazuara në inteligjencën artificiale (AI), të cilat ndihmojnë në përpilimin e projekteve të strukturuara shkencore.

Gjatë prezantimit të tij, Prof. Dr. Blerim Rexha theksoi një shqetësim të rëndësishëm: në një periudhë pesëvjeçare (2017–2021), vetëm 122 aplikime për projekte shkencore janë dorëzuar në MASHTI nga 1741 staf akademik në institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë. Ai theksoi se ky është një tregues i qartë i nevojës për veprime të menjëhershme nga politika-bërësit dhe institucionet për të vendosur mekanizma nxitës dhe motivues që do të rrisin pjesëmarrjen në kërkimin shkencor.

Punëtoria u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe bashkëpunuese, ku stafi i UKZ-së tregoi interesim dhe angazhim të lartë për të aplikuar njohuritë e fituara në projektet e ardhshme.