Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, është mbajtur ligjëratë e hapur me temën “Të Drejtat e Njeriut – Garantimi i të drejtave pronësore të barabarta në Kosovë.”
Qëllimi i kësaj ligjërate ishte që t’u ofrojmë studentëve informata mbi rëndësinë e garantimit të të drejtave të barabarta pronësore për gratë dhe burrat në Kosovë, si dhe për sfidat ligjore dhe politike me të cilat ballafaqohet Kosova në realizimin e këtij objektivi.
Fillimisht ligjëratën e hapi Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar në UKZ Dukagjin Leka, i cili falënderoi përfaqësuesit e USAID-it për këtë organizim dhe tha se UKZ është e hapur gjithnjë për organizime të tilla që janë në interes të studentëve tanë dhe ne përgjithësi për Institucionin.
Remzije Isterfi profesoreshë e lëndës të drejtat e njeriut, tha se Kosova në të kaluarën kishte një sistem të pastër patrilineal të bartjes së trashëgimisë tek pasardhësit, që do të thotë se tradicionalisht prona bartej vetëm tek pasardhësit burra.
Istrefi tha se ky zakon është bartur me inercion edhe në kohën e sotme për shkak të paternalizmit të vlerave nga burrat. Duke qenë se kryesisht prona fitohej si rrjedhojë e trashëgimisë, kjo ka ndikuar që si pasojë të kemi një numër të vogël të grave që kanë pronë, tha profesoresha Remzije Isterfi.
Ndërsa Merita Limani, eksperte për çështje gjinore dhe te drejtat pronësore në USAID tha se, sipas studimeve të bëra së fundi nga USAID-i në Kosovë, rezulton se qëndrimet dhe praktikat rreth të drejtës së grave në pronë po ndërrojnë dhe se zakoni i bartjes së trashëgimisë vetëm tek burrat ka filluar të humbas popullaritetin në shoqëri.
Më saktësisht, gjetjet nga këto hulumtime tregojnë për gati një dyfishim të numrit të grave që trashëgojnë pronë, brenda një periudhe prej dy vitesh. Nga vetëm 3.8 për qind të grave që kishin pronë të trashëguar në vitin 2015, ky numër është rritur në 7.5 për qind në vitin 2017 ka thënë Limani. Sipas saj, dhe po të njëjtit studim, ndryshimi kryesisht vjen si rrjedhojë e fushatës informuese të udhëhequr nga Programi i USAID-it për të Drejta Pronësore, si dhe diskutimeve publike për ndryshim të infrastrukturës ligjore në favor të barazisë në këtë fushë.
Së fundi, hulumtimet e Programit të USAID-it për të Drejtat Pronësore japin indikacione të bazuara se numri i grave që do të kenë pronë në emrin e tyre do të rritet me një ritëm të shpejtuar.
Ne fund të ligjëratës nga të pranishmit pati interesime të ndryshme rreth temës “Të Drejtat e Njeriut – Garantimi i të drejtave pronësore të barabarta në Kosovë.”
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan