Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në bashkë organizim me Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan është organizuar konferencë njëditore për të shënuar 25 vjetorin e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Fillimisht Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka pritur ne takim shefin e Misionit OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, për të vazhduar më pas me Konferencën mbi rolin dhe ndikimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë në avancimin e qeverisjes lokale, promovimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit.
Konferencën e ka hapur shefi i Misionit OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport dhe Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku.
Në fjalët e tij hapëse, ambasadori Michael Davenport theksoi përkushtimin e OSBE-së për të mbështetur zhvillimin institucional dhe shoqëror në Kosovë, duke vlerësuar kontributin e saj të vazhdueshëm në 25 vitet e fundit. Ai ka thanë se së bashku, kemi punuar për të avancuar të drejtat e njeriut, qeverisjen e mirë dhe barazinë gjinore, duke zhvilluar një shoqëri gjithëpërfshirëse, të larmishme dhe multietnike.
Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku në fjalën e tij, pasi përshëndeti të pranishmit, falënderoi OSBE-në për mbështetjen e dhënë dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe organizatave ndërkombëtare në promovimin e zhvillimit demokratik dhe sundimit të ligjit.
“Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, OSBE-ja ka qenë thellësisht e përfshirë në rindërtimin dhe përmirësimin e sistemeve të qeverisjes lokale. Puna e tyre ka pasur të bëjë me sigurimin që qeveritë lokale të jenë efektive dhe transparente. Ata kanë trajnuar zyrtarë lokalë dhe kanë ofruar mjetet e nevojshme për qeverisje të mirë, gjë që ka çuar në administratë më të mirë dhe shërbime publike më të mira për të gjithë” ka thënë Rektori Dërmaku.
Ai vlerësoi kontributin e OSBE-së dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për të arritur zhvillim të qëndrueshëm dhe të drejtë në Kosovë.
“Një nga projektet më të spikatura të OSBE-së ka qenë përpjekja e tyre për të përfshirë më shumë njerëz në procesin demokratik. Ata kanë ndihmuar në organizimin e shumë forumeve dhe punëtorive ku qytetarët mund të bashkëveprojnë drejtpërdrejt me përfaqësuesit e tyre. Ky dialog i hapur ka ndihmuar njerëzit të kuptojnë më shumë rreth mënyrës se si funksionon qeveria e tyre dhe ka inkurajuar një frymë bashkëpunimi që është thelbësore për përmirësimin e demokracisë”, ka thënë Rektori Porf. Asoc. Dr. Artan Dërmaku në fjalën e tij.
Në fund të fjalës Rektori ka thënë se puna dhe prezenca e OSBE-së në Kosovë, me ndikimin e saj në qeverisjen lokale, drejtësi, polici, arsim dhe të gjitha fushat e tjera të rëndësishme në Kosovë, kanë ndryshuar Kosovën për mirë dhe kanë ndihmuar në vendosjen e një themeli të besimit, drejtësisë dhe demokracisë që do të ndihmojnë në udhëheqjen e rritjes dhe stabilitetit të ardhshëm të Kosovës
Kjo konferencë ka sjellë bashkëbiseduesit kryesorë duke përfshirë kryetarë komunash, udhëheqës të komuniteteve, anëtarë të shoqërisë civile, përfaqësues të gjyqësorit, anëtarë të akademisë dhe studentë, të rinjtë dhe gratë për të diskutuar për ndryshimet institucionale dhe shoqërore në të cilat OSBE-ja ka kontribuar në 25 vitet e prezencës së saj në Kosovë.
Tri panele të ndryshme kanë diskutuar për rolin e Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Në panlin e parë që përbëhej nga Sylë Ukshini, Profesor në Fakultetin e Edukimit në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Alban Hyseni, Kryetar i komunës së Gjilanit, Katarina Ristić-Ilić, Kryetare e komunës së Ranillugut, Sokol Haliti, Kryetar i komunës së Vitisë, Dashurije Ahmeti, Udhëheqëse e sektorit të rinisë, Komuna e Ferizajt dhe Elmihane Krasniqi, përfaqësuese e Handikos-it në Kaçanik, është diskutuar për rolin e OSBE-së në demokratizim në nivelin lokal.
Në panelin e dytë që përbëhej nga Bajrush Ymeri, Nënkryetar i komunës së Novobërdës për komunitete, Aleksandra Jovanović, Nënkryetare e komunës së Kamenicës për komunitete, Florim Bajrami, Ish-Nënkryetar i komunës së Ferizajt për komunitete, Emrah Ismail, Kryesues i Komitetit për komunitete i Gjilanit, Renat Redzepi, Anëtar i KVM të Kamenicës nga komuniteti rom, është diskutuar për rolin e mekanizmave mbrojtës të komuniteteve në avancimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë.
Në panelin e tretë që përbëhej nga Mevlyde Shabani Gjyqtare e Gjykatës Themelore të Gjilanit, Mirlinda Bytyçi-Rexhepi, Nënkryetare e Gjykatës Themelore të Ferizajt, Bahtije Ademi, Prokurore e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, Avdullah Abedini, Prokuror i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Nazmije Demolli Kastrati, Koordinatore e Mekanizmit koordinues komunalkundër dhunës në familje në Kamenicë dhe Ibadete Mustafa përfaqësuese e strehimores për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje “Liria” në Gjilan, është diskutuar për dhunën në familje dhe përpjekjet e OSBE-së për t’i mbështetur institucionet gjyqësore dhe shoqërinë civile në luftimin e kësaj dukurie negative.
Gjatë sesioneve të ndryshme, pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja dhe ide mbi mënyrat më të mira për të avancuar qeverisjen lokale dhe për të forcuar të drejtat e njeriut. Konferenca shërbeu si një platformë e rëndësishme për të rinjtë dhe gratë për të shprehur mendimet dhe për të marrë pjesë aktive në proceset e vendimmarrjes që prekin jetën e tyre dhe të komunitetit të tyre.
Në përfundim të konferencës, u ritheksua rëndësia e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Konferenca njëditore ishte një hap i rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe bashkëpunimit për përmirësimin e qeverisjes lokale dhe avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan