Në UKZ u mbajt Gara Ndërkombëtare e Matematikës “Math Kangaroo 2025”

24 Mars, 2025

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan,  u mbajt Gara Ndërkombëtare e Matematikës “Math Kangaroo”, ku më shumë se 250 nxënës nga shkollat e Gjilanit, Kamenicës, Artanës dhe Preshevës demonstruan aftësitë dhe njohuritë e tyre në matematikë. Ky aktivitet i mbushur me vullnet, energji dhe entuziazëm ishte një mundësi për nxënësit e Anamoravës për të treguar se ata janë të aftë të përballen me sfidat e matematikës dhe të bëjnë krenarë prindërit dhe rrethin e tyre.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbështet gjithmonë aktivitete të tilla, duke inkurajuar nxënësit që të vazhdojnë studimet dhe të kontribuojnë në shoqërinë e Kosovës.

Në hapje të garës, Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla në zhvillimin akademik dhe profesional të nxënësve, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë rrugëtimin e tyre me përkushtim dhe pasion për dijen. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e mësimdhënësve dhe institucioneve arsimore në mbështetjen e talenteve të reja në matematikë. Po ashtu, Dekani i Fakultetit të Shkencave Aplikative, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, theksoi përkushtimin e UKZ-së për të vazhduar mbështetjen ndaj garave akademike dhe edukimit cilësor, duke u bërë një qendër e rëndësishme për avancimin e shkencës dhe teknologjisë në vend.

Kjo ngjarje u organizua nga Instituti “Atom”, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Drejtoritë Komunale të Arsimit, si dhe me mbështetje nga Universiteti Publik “Kadri Zeka”. Gara ndërkombëtare u zhvillua në të njëjtën kohë në gjithë Kosovën dhe botën, ku nxënësit e regjionit të Gjilanit morën pjesë në një konkurencë të lartë. Pjesëmarrësit ishin nga shkollat e nivelit I-XII nga qytetet dhe fshatrat përreth, duke përfshirë edhe Luginën e Preshevës.

Gara, e cila u zhvillua në kuadër të Math Kangaroo 2025, është një mundësi për nxënësit të tregojnë shkathtësitë e tyre dhe të zhvillohen më tej në këtë fushë.