Në UKZ u mbajt diskutim i hapur me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut

21 Maj, 2025

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, përmes Fakultetit të Shkencave Sociale, ka organizuar një diskutim të hapur me z. Afrim Gashi, Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kjo ngjarje me karakter akademik u zhvillua në ambientet e universitetit dhe mblodhi së bashku studentë, staf akademik dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Fillimisht, Kryetari Gashi u prit në takim nga Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, me të cilin diskutoi për rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për rolin që universitetet luajnë në edukimin dhe vetëdijesimin qytetar të brezave të rinj. Më pas, aktiviteti vijoi me ligjëratën e hapur para të pranishmëve.

Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, shprehu mirënjohjen për vizitën e një figure të rëndësishme politike në Universitetin Publik “Kadri Zeka” dhe e vlerësoi atë si një mundësi të vyer për shkëmbim mendimesh dhe reflektim mbi zhvillimet politike në rajon.

“Për universitetin tonë është nder dhe kënaqësi të mirëpresim një personalitet të rëndësishëm politik si z. Afrim Gashi. Kjo vizitë u ofroi studentëve tanë një mundësi të drejtpërdrejtë për të dëgjuar dhe diskutuar mbi realitetin politik dhe shoqëror të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe për të reflektuar mbi proceset integruese evropiane,” u shpreh Rektori Dërmaku.

Në fjalën e tij, z. Afrim Gashi trajtoi një sërë çështjesh që prekin shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke përfshirë rolin e tyre në funksionimin e shtetit, sfidat në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe problematikat që lidhen me ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ai theksoi se, megjithëse janë bërë përparime, veçanërisht pas vitit 2018, gjuha shqipe vazhdon të përballet me pengesa në zbatim, veçanërisht në fusha të tilla si uniformat e policisë dhe ushtrisë, legjislacioni dhe përdorimi në monedha, ku tre nene të ligjit aktual e kufizojnë përdorimin e saj. Z. Gashi foli gjithashtu për përpjekjet aktuale të koalicionit të katër partive shqiptare në Maqedoni për t’u unifikuar në një subjekt të vetëm politik, me qëllim forcimin e përfaqësimit dhe adresimin më efektiv të çështjeve të komunitetit shqiptar.Ai theksoi nevojën për ruajtjen e identitetit kombëtar dhe traditës, por edhe për përqafimin e vlerave evropiane si pjesë e procesit të modernizimit dhe integrimit të vendit.

“Mos u shkëputni nga tradita; dijeni se nga vini. Mësoni historinë, por zhvillohuni në hap me kohën. Vlerat evropiane duhet t’i zbatojmë në praktikë para se të bëhemi zyrtarisht pjesë e Bashkimit Evropian. Le të mbjellim patriotizëm dhe atdhedashuri, të krijojmë mundësi për shkollim dhe jetë më të mirë në çdo dimension,”  ishte porosia e tij drejtuar studentëve dhe të rinjve në përgjithësi.

Diskutimi u pasurua me pyetje, ide dhe mendime nga pjesëmarrësit, duke dëshmuar për interesimin e madh mbi temat politike dhe shoqërore, me fokus të veçantë mbi pozicionin, të drejtat dhe sfidat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.