Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, janë promovuar katër libra të katër mësimdhënësve të Fakultetit të Edukimit.
“Poetika e këngës epike historike” është libri studimor nga fusha e folkloristikës, i profesoreshës NevrijeBislimi – Ismaili, “As engjëll, as djall” është libri poetik i profesorit Merxhan Avdyli, “Kërkime leksikore në veprën e Pjetër Bogdanit” është një studim nga fusha e gjuhësisë i autorit Faton Krasniqi dhe libri “Kurrikula mësimore dhe mendimi kritik” libër ky nga fusha e pedagogjisë i autorit Mensur Neziri.
Me këtë rast, Rektori i Universitetit “Kadri Zeka”, Bajram Kosumi, uroi autorët e librave për punën e tyre, derisa ka thënë se UKZ është në proces të themelimit të Këshillit Botues të librit dhe se do të përkrah të gjithë ata që kanë mundësi të botojnë veprat e tyre.
Rektori Kosumi ka thënë se, të shkruarit e një libri, është një përpjekje e madhe, është kulturë, dije, informacion, ndjenjë por edhe emocion.
Ndwrsa, për dy librat nga fusha e letërsisë, përkatësisht për librin studimor “Poetika e këngës epike historike” të profesoreshës Nevrije Bislimi-Ismali dhe për librin poetik “As engjëll, as djall’ të profesorit Merxhan Avdyli, pikëpamjet e tij i shfaqi studiuesi i letërsisë, njëherësh bashkëpunëtorë i jashtëm në Fakultetit e Edukimit ne UKZ, Flamur Maloku.
Ai tha se libri studimor “Poetika e këngës epike historike” e Nevrije Bislimit, në nivelin e përgjithshëm të analizimit është kërkim i veçantë teorizues/argumentues, i këngëve historike e poetike në letërsinë tonë popullore. Kurse për librin “As engjëll, as djall” i autorit Merxhan Avdyli, studiuesi Maloku tha se është titulli që e mbanë në veten figurën e Jetës, së paku në tri pamje. Sipas tij, secili shkrim, poezi, sistemohet dhe shqiptohet nga plaga empirike, nga mendimi i thellë, duke dalë nga gjuha e zemrës në shkrim.
Kurse përshtypjet e tij për librin e profesorit të pedagogjisë Mensur Neziri, “Kurrikula mësimore dhe mendimi kritik” i ka paraqitur dekani i Fakultetit të Edukimit, Januz Dervodeli. Ai tha se ky libër është studim i cili është realizuar për tre vite radhazi me nxënës të disa shkollave të Kosovës nga klasa e 1-5. Janë hulumtu shumica e teksteve shkollore për të parë se a kanë ato tekste përmbajtje që e zhvillojnë mendimin kritik të nxënësve. Gjithashtu në libër janë dhënë disa strategji dhe modele të mësimdhënësve që u ndihmojnë atyre për të zhvilluar mendimin kritik të nxënësve.
Kurse për librin “Kërkime në leksikun e Pjetër Bogdanit”, e autorit Faton Krasniqi, profesor Emin Krasniqi kishte bërë një vështrim, sipas të cilit, studiuesi Faton Krasniqi në librin e tij paraqet tematiken stilistike të veprës së Pjetër Bogdanit, krahasueshmërinë, zhvillimin , shtresimin burimor e të huaj të leksikut të shqipes dhe neologjizmat e krijuar prej Pjetër Bogdanit .
Ndërsa vet autorët kanë falënderuar bashkëpunëtorët në realizimin e botimit të librave të tyre, deri sa janë shprehur se çdo libër pasqyron një epokë të caktuar historiko-shoqërore.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan