Në UKZ mbajt sesion informues për mundësitë e subvencionimit të bizneseve Start-up

7 Qershor, 2024

Në ambientet e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt një sesion informues lidhur me mundësitë e subvencionimit të bizneseve Start-up me fokus të veçantë në inovacion.

Në emër të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, të pranishmëve iu drejtua nënkryetarja e Kuvendit Komunal, Lonora Morina Bunjaku. Ajo theksoi rëndësinë e këtij programi si një mundësi e shkëlqyer për të gjithë ata që kanë ide inovative dhe dëshirojnë të ndërmarrin hapat e parë drejt krijimit të bizneseve të reja. “Kjo është një mundësi e artë për të gjithë ju që keni ide kreative dhe dëshironi të filloni një biznes të ri. Subvencionimi do t’ju ndihmojë të realizoni ëndrrat tuaja dhe të kontribuoni në zhvillimin ekonomik të komunës sonë,” tha Morina Bunjaku.

Prezantimi i mundësisë për subvencionim u bë nga zyrtarë të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik të Komunës së Gjilanit. Gjatë sesionit, të pranishmit patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth subvencioneve të ofruara për Start-up-et inovative dhe mënyrave se si mund të aplikojnë për to. Zyrtarët ofruan informacion të detajuar mbi kriteret e aplikimit, procesin e vlerësimit dhe përfitimet që sjellin këto subvencione për bizneset e reja.