Më 19 mars 2022, në hapësirat e Universitetit “Kadri Zeka” të Gjilanit, rreth 250 nxënës garuan në Garën Ndërkombëtare të Matematikës ,,Kenguri pa kufi” për Regjionin e Gjilanit (Gjilan, Viti, Kamenicë dhe Artanë) për nxënësit e klasave I-XII, të ndarë në 6 kategori sipas klasave: Fillestarët (kl. I-II), Fatosët (kl. III-IV) , Pionierët (kl. V-VI), Kadetët (kl. VII-VIII) , Juniorët (kl. IX-X) dhe Seniorët (kl. XI-XII).
Gara “Kenguri pa kufi” për regjionin e Gjilanit, është organizuar nga Instituti “Atom”, mbështetur nga studentët dhe stafi i Matematikës të Fakultetit të Shkencave Aplikative, DKA të Gjilanit dhe MASHT-i.
Në hapjen e kësaj gare në Gjilan mori pjesë Prorektori për mësim, kërkime shkencore dhe çështje të studentëve në Universitetin “Kadri Zeka” prof.dr. Xhevdet Thaqi si dhe drejtoresha e DKA-së së Komunës së Gjilanit Selvete Sylejmani.
Prorektori prof.dr. Xhevdet Thaçi, i përgëzoi nxënësit për pjesëmarrje në këtë garë, duke ju uruar sukses dhe përkushtim të palëkundur në mësimin e matematikës, e cila u siguron atyre një të ardhme të suksesshme në çfarëdo profesioni që do të zgjedhin në të ardhmen. Prorektori Thaqi, ka inkurajuar garuesit e matematikës që të vazhdojnë me zgjerimin e njohurive të tyre për mësim, që në të ardhmen të vijnë të studiojnë në programet e Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan. Ai iu tha që matematika iu shërben më së miri, në saje të ndërtimit të saj që ka si shkencë për hyrje të suksesshme edhe në lëmi të tjera si: shkenca kompjuterike, elektroteknikë, ekonomi etj.
Kurse Drejtoresha e DKA-së e vlerësoi shumë këtë garë dhe punën e madhe për organizimin e saj që po bëjnë organizatorët e posaçërisht koordinatori prof. Festim Shkodra. Ajo i përgëzoi garuesit për interesimin e tyre për mbretëreshën e shkencave – matematikën, duke thënë se matematika është në themelet e çdo shkence tjetër.
Koordinatori i regjionit të Gjilanit për këtë garë Festim Shkodra, duke iu uruar sukses garuesve, e njëkohësisht iu tha atyre se ju të gjithë jeni fitues, sepse duke u përgatitë për këtë garë, keni mësuar shumë gjëra të reja, andaj do të dilni shumë më të ditur.
Gara “Kenguri pa kufi” organizohet në mbi 80 shtete të botës dhe është gara ndërkombëtare më e popullarizuar në botë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan