Në UKZ është bërë funksionalizimi i Klinikës Ligjore në kuadër të Projektit ENEMLOS

22 Qershor, 2023

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është bërë formalizimi dhe funksionalizimi i Klinikës Ligjore brenda hapësirës së UKZ-së në kuadër të Projektit Erasmus+ ENEMLOS.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, ka pritur në UKZ profesorët nga Londra nga Universiteti i Regentit, Neven Andjelic dhe Tom Villis.

Së bashku me Prorektorin Leka ishin edhe ekipi i tij, Profesor Selim Daku, njëherësh edhe menagjer i Projektit ENEMLOS në UKZ, Asistenti Blerim Haziri, Betim Berisha nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe studentët Tringa Kurteshi, Vlera Avdiu, Arian Leka dhe Lirak Haziri, të cilët edhe janë pjesë e klinikës ligjore brenda UKZ-së.

Kjo vizitë ishte një lloj konfirmimi protokollar dhe miqësor i marrëdhënieve të vendosura të institucioneve tona dhe një mundësi për të parë se si punohet dhe si kemi kontribuar në ngritjen dhe punën e klinikave ligjore si dhe përvoja që marrin studentët në këtë Klinikë, nga raste reale nga jeta e përditshme.

Gjatë takimit mes përfaqësueseve të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe përfaqësueseve  nga Universiteti i Regentit në Londër, përveç  tjerash u diskutua edhe për mundësinë e lidhjes së një marrëveshje ndërinstitucionale në mes të dy Universiteteve, e cila mund të realizohet në mobilitetin e radhës në kuadër të Projektit ENEMLOS.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka ka thënë se angazhimet në projekte Ndërkombëtare e sidomos ato Erasmus+, po i japin rezultate konkrete dhe po lehtësojnë qasjen e stafit dhe studentëve, si dhe bashkëpunimin me Universitete të ndryshme me renome nga i gjithë kontinenti.