Në Tiranë diskutohet për veprën e Bajram Kosumit

8 Dhjetor, 2015

Në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë  është organizuar diskutimi për veprën letrare, politike dhe publicistike të Bajram Kosumit, me titull “Bajram Kosumit-Njeriu, Vepra dhe Intelektuali”.

Në sallën e mbushur me studiues të letërsisë e të kulturologjisë, dashamirë dhe lexues të veprave të Kosumit, kanë folur emra të shquar të politologjisë, historianë të letërsisë, kritikë letrarë dhe publicistë.

Shinasi Rama, politolog i shquar shqiptar, udhëheqës i programit të doktoratave në New York University (USA) ka folur për profilin politik dhe për veprat politike: Koncept për subpolitikën (1995), Koncept për mendimin e ri politik (2000) dhe Një vit vendimtar (2006).

Behar Gjoka, një prej historianëve më të shquar të letërsisë të brezit të ri ka folur për librin Letërsia nga burgu/kapitull më vete në letërsinë shqipe (2006).

Aleksandër Çipa ka folur për profilin publicistik të Kosumit.

Pofesor Lili Sula ka folur për studimet letrare rreth Fishtës dhe Shkollës Proklasike Shkodrane të Kosumit, konketisht për veprat Lirika e Fishtës (2004) dhe Fishta dhe tradita letrare shqiptare (2012).

Profesor Anisa Velaj dhe kritiku Flamur Maloku kanë folur për poezinë e Kosumit në librin Fjalor i Barbarëve (2000, 2009).

Publicisti dhe studiuesi i gazetarisë e komunikimit Faton Ismajli ka folur për librin studimor në fushë të gjinisë së tekstit gazetar Tipologji dhe zhanër (2014).

Irena Toçi, drejtuese e Shtëpisë Botuese Toena, Tiranë, ka folur për rëndësinë e publikimi të librave të Kosumit.

Në fund të diskutimeve vetë Kosumi ka folur për nevojën e konsolidimit të kulturës filozofike, politike, e sociologjike shqiptare, ngjashëm me letërsinë, e cila është shfaqja më e fuqishme në kulturën shqiptare, dhe e cila bartë më vete shpirtin shqiptar të shekujve.

Tryeza “Bajram Kosumi-Njeriu, Vepra dhe Intelektuali” u organizua nën kujdesin e Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi”, Muzeut Historik Kombëtar, Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Institutit të Librit dhe Promovimit “Toena” si dhe Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.

Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi – Teksti narrativ dhe teksti refleksiv në kulturën shqiptare

Behar Gjoka- Letërsia nga burgu – gjurmimi i vlerave në këtë qark letrar

 

2  3 4  5  6  7