Mundësi e punës praktike me pagesë në Bankën Raiffeisen dega në Gjilan, Viti dhe Kamenicë

14 Shtator, 2017

Dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Dr. Gëzim Tosuni ka pasur një takim me Zyrtaren e Burimeve Njerëzore në RaiffeisenBank në Prishtinë, Berna Visoka , me të cilën ka biseduar  për mundësitë e angazhimit të studentëve të Fakultetit Ekonomik në programet e praktikës që i zbaton banka për vite me radhë.

Zyrtarja Berna Visoka njoftoi Dekanin Dr. Gëzim Tosuni se RaiffeisenBank, tashmë për disa vite me radhë organizon praktikën e studentëve gjatë periudhës 1 korrik – 31 gusht të secilit vit ku studentët mund të zbatojnë njohuritë e fituara teorike, në praktikë.

Dekani inkurajon të gjithë studentët që të tregojnë vigjilencë për programet e praktikës së kësaj banke në të ardhmen dhe për më shumë detaje rreth këtij programi, studentët mund të lexojnë në vegzën në vijim ku janë informatat për vitin që po e lëmë pas.

https://raiffeisen-kosovo.com/sq/Komunikatat-per-media/Banka-Raiffeisen-fton-studentet-te-aplikojne-per-programin-e-praktikes-580

Në të njëjtin takim, Dekani u njoftua edhe për një program shtesë të praktikës me pagesë që organizohet nga banka dhe pritet të ketë angazhim për një afat 12-13 mujor. Në këtë program, pritet nga kandidatët që të angazhohen me orar të plotë. Kjo kërkesë, e bën më të përshtatshme mundësinë e angazhimit të studentëve të nivelit Master apo studentëve të diplomuar.

Gjithsesi, Fakulteti Ekonomik e mbështet këtë iniciativë të bankës dhe të njëjtën e sheh si mundësi të avancimit profesional të studentëve edhe në pozita të përhershme dhe me përgjegjësi brenda bankës e sektorit bankar.

Nëse keni interes, dërgoni një porosi e cila përmban informatat si vijon, tek zyrtari për praktikë Asst. Lulzim Rashit në adresën [email protected]:

Emri dhe mbiemri i kandidatit

Informatat për kontakt (email adresa, numri kontaktues i telefonit)

Nota mesatare gjatë studimeve

Tema e diplomës

 

Pas shprehjes së interesit nga ana e kandidatëve, dekanati do të përpilojë listën që e përcjell tek zyrtarët e Bankës Raiffeisen për procedurat e mëtutjeshme.

Afati i fundit për pranimin e porosive nga kandidatët e interesuar është data 19 shtator 2017 ora 15:00.

Dekanati i Fakultetit Ekonomik ju uron sukses të gjithë të interesuarve!