Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan ka qëndruar Arban Abrashi Ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale. Ai fillimisht është pritur nga Prorektorja Shpresë Qamili, Prorektori Naim Mustafa dhe udhëheqës tjerë të këtij Institucioni. Më pas Ministri Abrashi para studentëve dhe të rinjve gjilanas ka mbajtur debat, organizuar nga Komuna e Gjilanit, respektivisht Njësia për Rini, me temën “Sfidat në punësim dhe ndërmarrësi”, ku është bashkëbiseduar për mundësitë që ofrohen përmes programeve të ndryshme dhe grandeve që ndanë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, pikërisht për mbështetjen dhe avancimin e të rinjve në proceset zhvillimore dhe punësim.
Me këtë rast, Shpresa Qamili, Prorektore për mësim, kërkime shkencore dhe çështje të studentëve në Universitetin “Kadri Zeka”,në emër të Rektorit Bajram Kosumi, ka falenderuar Ministrin Abrashi për vizitë dhe në ndërkohë iu ka dhënë mbështetje nismave jashtëzakonisht shpresuese për rininë dhe studentët e Gjilanit, derisa ka kërkuar angazhim maksimal të të rinjve në avancimin e tyre për të qenë konkurrent të fuqishëm në tregun e punës në Kosovë, por edhe jashtë vendit, karshi profesionistëve nga shtete të tjera.
Ndërsa në fjalën e tij, ministri i Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me nivelin lokal të qeverisjes në Komunën e Gjilanit, kanë marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të mbështetjes së të rinjëve në fusha të ndryshme e veçanërisht në ndërmarrësi, punësim.
Ai ka thënë se përmes programit të praktikës në punë, pastaj përmes programit të subvencionimit të gjysmës së pagës në sektorin privat, projektit për punësimet sezonale, pastaj grandet për vetëpunësim, trajnimet profesionale me qëllim të avancimit profesional dhe avancimit jetësor, janë vetëm disa prej programeve dhe grandeve që Ministria ka ndarë pikërisht, duke vendosur të rinjtë në qendër të vëmendjes së këtyre projekteve dhe programeve të punësimit.
Abrashi, po ashtu, ka falënderuar edhe donatorët e shumtë dhe investitorët e huaj nga qeveritë mike të Kosovës, si USAID, UNDP, HELP, e ambasada të ndryshme, të cilat e kanë lehtësuar qëllimin e ministrisë në punësim sa më të madh të të rinjve.
Mehmet Zylfiu Kryetar i Parlamentit të Studentëve në Universitetin “Kadri Zeka” ka thënë se, konsiderojmë që prioritet mbi prioritete për çdo institucion është punësimi i të rinjëve duke krijuar mundësi për aftësim profesional për tregun e punës si dhe duke qenë garant se nepotizmi do jetë temë e së kaluarës.
Kurse Genc Mustafa, udhëheqës i Njësisë për Rini në Gjilan, ka kërkuar programe shtesë sa i përket mundësive më të mëdha për të rinjtë në biznes dhe zhvillim të ndërmarrësive.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan