Me një ceremoni të përbashkët shënohet dy vjetori i themelimit të tre Universiteteve publike

6 Mars, 2015

Me intonimin e himnit të flamurit dhe himnit universitar nga nxënësit e shkollës së muzikës, në Universitetin “Kadri Zeka  në Gjilan  është mbajtur ceremonia e festimit të dy vjetorit të themelimit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës dhe të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Naim Syla, u.d. rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, pasi ka uruar të tre universitetet me rastin e kremtimit të dy vjetorit të themelimit, ka thënë se për dy vite kohë u rritëm, ndryshuam dhe vazhdojmë të ecim bashkë. U.d. rektori Syla ka përmendur të arriturat e Universitetit gjatë dy viteve, për të cilat ka thënë se janë një shtytje për angazhim të mëtutjeshëm. Ai ka falënderuar Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për jetësimin e Universitetit “Kadri Zeka” dhe për  mbështetjen që po i bënë këtij institucioni. Synim i yni ka thënë u.d. rektori Syla është instalimi i cilësisë. Ai ka thënë se për këtë vit akademik, është planifikuar një sasi mjetesh për të bërë hapat e parë për Kampusin universitar, prandaj siç tha u.d.  rektori Syla, besojmë se Ministritë, Komuna dhe Universiteti do të kenë bashkëpunim funksional për këtë çështje.

Në këtë organizim ka marrë pjesë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili  ka uruar për dy vjetorin e themelimit të universiteteve publike, për siç tha ai, punën serioze, këmbëngulëse, të bërë gjithsesi me ndjenjë shumë fisnike e patriotike, vetëm për të ngritur studentët.

Ministri Arsim Bajrami është zotuar se do të mbështes Universitetin “Kadri Zeka” por edhe universitete tjera publike, në të gjitha aspektet, e sidomos në ndërtimin e kampuseve universitare që përpos cilësisë mësimorë  të krijohen kushte edhe për hapësirë të mjaftueshme.

Në emër të Komunës së Gjilanit të pranishmit i ka përshëndetur kryesuesja e Kuvendit Komunal, Valentina Bunjaku. Ndërkaq ,Alush Musaj, rektor i Universitetit “Isa Boletini” të Mitrovicës dhe Rektori i Universitetit “Fehmi Agani” të Gjakovës, Hasan  Muja, në fjalën e tyre kanë uruar stafin akademik, administrativ dhe studentët  për kremtimin e dy vjetorit të institucioneve të tyre. Në emër të Parlamentit të studentëve të Universitetit “Kadri Zeka” ka falur kryetari i këtij parlamenti, Mehmet Zylfiu.

Më pas u.d. së rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Naim Syla ia ka dhuruar një mirënjohje dhe një dhuratë simbolike ish- u.d. së rektorit të Universitetit “Kadri Zeka”, Arben Dërmaku, në shenjë falënderimi për kontributin e dhënë për këtë institucion që nga themelimi i tij. Nga ana e tij ish u.d. rektor i Universitetit “Kadri Zeka”, Arben Dërmaku, tha se është ndjenjë e veçantë të jesh në këtë përvjetor të dytë, duke shtuar se përkundër sfidave që ka pasur gjatë kohës sa ka qenë u.d. rektor,  dhe pavarësisht sakrificave bashkë me stafin akademik, administrativ por edhe studentët ia kanë arritur qëllimeve të tyre.

perv2

perv3

perv4