Universiteti Kadri Zeka është duke e rishikuar Planin Strategjik 2017-2022 të UKZ. Për këtë qëllim, Këshilli Drejtues ka themeluar Grupin Punues në të cilin përveç strukturave të UKZ bëjnë pjesë edhe hisedarët e jashtëm, me të cilët UKZ ka vite që bashkëpunon. Një punëtori për diskutimin e Planit Strategjik 2017-2022 është mbajtur sot me palët e interesit në arsimin e lartë të rajonit të Gjilanit dhe më gjërë, ku kanë qenë të ftuar, kryetarja e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, kryetar të komunave, drejtor të drejtorive omunale, Gjilan, Kamenicë, Viti, përfaqësues të gjykatave, përfaqësues të institucioneve publike, Bordi Industrial dhe punëdhënës të tjerë, Alumni, përfaqësues të komuniteteve si: personat me nevoja të veçanta, komuniteti i grave etj.
Gjatë punëtorisë është diskutuar, janë marë mendime, këshilla, sugjerime, propozime në lidhje me zhvillimin e Universitetit dhe të programeve studimore të tij.
Prof. Asoc. Bajram Kosumi, rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan ka thënë se duke parë dinamikën e madhe të zhvillimit të UKZ-së, përgjatë vitit 2020 kemi hapur procesin e diskutimit dhe të rishikimit të Strategjisë Zhvillimore dhe Planit të Veprimit 2017-2022.
Ky diskutim ka rezultuar me nevojën e fillimit edhe të procedurave formale të rishikimit të kësaj strategjie. Kjo dinamikë e shtuar nënkupton rritjen e programeve studimore, krijimin e nivelit të dytë të studimeve Master si dhe fillimin e bashkëpunimit për krijimin e programeve të doktoraturës, krijimin e Fakultetit të ri, rritjen e numrit të stafit akademik, rritjen e hulumtimeve shkencore, rritjen e numrit të stafit administrativ, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, rritjes së numrit të projekteve ndërkombëtare, rritjes së anëtarësimeve ndërkombëtare, etj. ka thënë Rektori Kosumi.
Kjo është mënyra e duhur për ta orientuar universitetin kah profili i synuar universitar dhe për ta shndërruar atë në një prej shtyllave të rëndësishme të arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.
Derisa të pranishmit që kanë marrë pjesë në punëtorinë për rishikimin e Strategjisë Zhvillimore të UKZ-së 2017-2022, gjatë diskutimit kanë thënë se orientimi i Universitetit varet edhe duhet të përshtatet me zhvillimet më të reja në shkencën dhe në tregun kombëtar e ndërkombëtar, sepse sipas tyre Universiteti është ndërlidhja më e mirë e tregut të dijes e të punës të Kosovës me atë ndërkombëtar. Andaj, organizimin e punëtorisë për rishikimin e Strategjisë Zhvillimore të UKZ-së 2017-2022 është shumë i rëndësishëm në mënyrë që Universiteti të përgatis ekspertët dhe punëtorët e ardhshëm të cilët mund të konkurojnë suksesshëm, jo vetëm në tregun kombëtar e rajonal, por edhe në tregun ndërkombëtar.
Plani Strategjik i Universitetit “Kadri Zeka” ka pesë kapituj:
Në kapitullin e parë, konteksti, përfshihet sistemi arsimor në Republikën e Kosovës, historia dhe gjendja aktuale, organizimi dhe struktura e sistemit arsimor në Republikën e Kosovës, sistemi i akreditimit në Republikën e Kosovës, historiku i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe funksionimi i UKZ-së.
Kapitulli i dytë përmbledhë vizionin, misioni dhe vlerat themelore, kurse kapitulli i tretë ka të bëjë me qeverisjen dhe organizimin.
Në kapitullin e katërt trajtohen prioritetet e universitetit, shoqëria dhe tregu i punës, programet studimore, studentët, burimet njerëzore, sistemi i sigurimit të cilësisë, puna kërkimore shkencore, profilizimi i UKZ-së, bashkëpunimi ndërkombëtar, infrastruktura, financimi, stabiliteti financiar, granti qeveritar, të hyrat vetanake, objektivat e avancimi i planit financiar, investimet strategjike, logaridhënia – auditi, raportet periodike, buxheti aktual vjetor dhe projeksioni.
Në kapitullin e pestë përmenden vështirësitë dhe sfidat, përmbushja e kritereve për akreditim, mungesa e hapësirës, mungesa e stafit akademik, tregu i punës për të diplomuarit në UKZ, përshtatja me ndryshimet në tregun global, implemetimi i plotë i Sistemit të Bolonjës, infrastruktura ligjore, vetëdijësimi i studentëve për rëndësinë e vlerësimit të njohurive, sigurimi i literaturës bazike në gjuhën shqipe, përdorimi i literaturës në gjuhë të huaj, numri i kufizuar i personelit administrativ dhe trajnimi i tyre, mësimi praktik si dhe numri i madh i studentëve në ushtrime.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan