Në kuadër të projektit TAKE – Together Advancing Kosovo’s Training and Employment within the Education Sector, në Fakultetin e Edukimit të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt trajnimi me temë: “Ndikimi i lojërave gjuhësore në zhvillimin psikomotorik të fëmijëve”, i ligjëruar nga Prof. Dr. Merxhan Avdyli, Dekan i Fakultetit të Edukimit.
Gjatë trajnimit, Prof. Dr. Merxhan Avdyli prezantoi teknika interaktive dhe loja gjuhësore që synojnë të nxisin zhvillimin motorik dhe gjuhësor tek fëmijët në moshën parashkollore. Ai theksoi se përdorimi i lojës në procesin mësimor nuk është thjesht një mënyrë për t’i argëtuar fëmijët, por një mjet i fuqishëm pedagogjik që ndihmon në zhvillimin e aftësive komunikative, koordinimit trupor, të menduarit kritik dhe kreativitetit. “Lojërat gjuhësore janë ura lidhëse mes të mësuarit dhe të vepruarit, ato i japin fëmijës mundësinë të shprehet, të kuptojë dhe të përfshijë trupin dhe mendjen në mënyrë të integruar në procesin e të nxënit” u shpreh Prof. Dr. Merxhan Avdyli.
Trajnimi përfshiu edhe shembuj praktik, ku pjesëmarrësit kishin mundësi të angazhoheshin në aktivitete model që mund të përdoren në punën me fëmijët në institucionet parashkollore. Për më tepër, u diskutua rëndësia e krijimit të një mjedisi stimules, që nxit ndërveprimin verbal, lëvizjen dhe bashkëpunimin ndërmjet fëmijëve.
Ky aktivitet u realizua me përkrahjen e CARITAS-it Zviceran (CACH), si pjesë e zbatimit të projektit TAKE, që ka për qëllim fuqizimin e përgatitjes profesionale të edukatorëve dhe përmirësimin e praktikave mësimore në edukimin e hershëm në Kosovë.
Projekti financohet nga Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit, dhe zbatohet në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe fakultetet e tjera të universiteteve publike në Kosovë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan