Rektori i Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Prof. Dr. Barajm Kosumi, së bashku me Dekanin e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike Prof. Asoc. Dr.Artan Dërmaku, kanë pritur në takim kryetarin e Bordit të Asociacionit për Teknologji, Menaxhment dhe Inxhinieri Aplikative (ATMAE) i ShBA-së, Prof. Dr. Ahmad Zargari, drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim z. Msc.Naim Gashi si dhe drejtoreshën e NARIC-Kosova, Dr.Sc.Kumrije Gagica.
Duke marrë parasysh se vitin e kaluar programet e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të UKZ kishin performancën më të mirë në Republikën e Kosovës dhe pasi që FSHK i UKZ-së, është i vetmi që ka marrë akreditim 5 vjeçar në fushën e shkencave kompjuterike, AKA i ka propozuar profesor Zargarit që gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, të mbajë një ligjëratë me studentët dhe stafin akademik të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe të Fakulteteve tjera brenda Universitetit.
Profesor Zargari, ekspert i kontraktuar i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, i cili ka ardhur në Kosovë për të vlerësuar programe akademike të Universiteteve, në ligjëratën e tij para stafit akademik dhe studentëve të UKZ-së, ka folur kryesisht rreth ATMAE-së.
Sipas tij ATMAE është agjenci homologe e AKA-së, që mbulon me akreditim gjithë Shtetet e Bashkuara në fushën e teknologjisë, menaxhmentit dhe inxhinierisë aplikative, fusha këto që konsiderohen prioritare nga këndvështrimi i AKA-së. Profesori Ahmad gjatë bashkëbisedimeve me pjesëmarrësit në ligjërate, shpjegoi në mënyrë të detajuar programet që ata i ligjërojnë në universitete në SHBA dhe theksoi rëndësinë që ato kanë për zhvillimin e teknologjisë në botë.
Ndërsa Drejtori i AKA-së Naim Gashi, para pjesëmarrësve në ligjëratë, bëri prezantimin e profesor Zargarit dhe bashkëpunimin që AKA ka me ATMAE.
Kurse drejtoresha e NARIC-Kosova, Kumrije Gagica, ka prezantuar procesin e njohjes së diplomave ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të akredituara nga ATMAE.
Në fund, Dekani, Prof.Asoc.Dr. Artan Dërmaku, pasi që falënderoi të pranishimit, e sidomos mysafirët, foli për rëndësinë e programeve që i ka FSHK për tregun e punës në Kosovë dhe më gjerë, por edhe sfidat që ka pasur dhe ka Fakulteti i Shkencave Kompjuterike, duke premtuar se do të punojnë në jo vetëm mbajtjen e e kualitetit dhe përmbushjen e kërkesave të AKA-së por edhe për hapjen e programeve të reja, me theks në programet e PhD-së.
Qëllimi i kësaj ligjëratë ishte për të diskutuar për rëndësinë e studimeve në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan