Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa së bashku me Zëvendëskryeministrin, Ramiz Kelmendi, Ministrin e FSK Haki Demolli dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, kanë vizituar Universitetin “Kadri Zeka”në Gjilan, ku janë pritur nga Rektori Bajram Kosumi, Anëtarët e Këshillit Drejtues, Prorektorët dhe Dekanët e këtij Universiteti.
Me këtë rast Rektori Bajram Kosumi pasi i ka dëshiruar mirëseardhje kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë se në Universitetin “Kadri Zeka” mbizotëron fryma akademike dhe motivi për punë, vetëm e vetëm që në të ardhmen tregut kosovar të mund ti ofrojmë studentë të cilët janë të zot të kryejnë detyrat e tyre profesionale. Ai tha se, si universitet jemi të përkushtuar të punojmë gjithnjë në drejtim të rritjes së cilësisë, duke e bërë Universitetin “Kadri Zeka”, një universitetit të suksesit.
Kurse Kryeministri Isa Mustafa, gjatë ligjeratës së tij para stafit akademik dhe studentëve të Universitetit “Kadri Zeka”, ka folur kryesisht për zhvillimet aktuale në vendin tonë.
Ai ka thënë se prioritet i shtetit të Kosovës është forcimi i ligjit, luftimi korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi, si kusht për udhëtim të lirë të qytetarëve të Kosovës. Kryeministri Mustafa ka thënë se Kosova i ka përmbushur disa kritere si nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së, dhe tani është në rrugë të mirë për liberalizim të vizave. Megjithatë, Mustafa është shprehur se ende duhet të forcohet shteti ligjor.
Mustafa ka thënë se Qeveria që e drejton është e përcaktuar që në programin politik ta ketë prioritet zhvillimin ekonomik që nënkupton uljen e papunësisë dhe varfërisë.
Ai gjatë ligjëratës ka folur edhe për zhvillimin e arsimit, ku tha se deri më tani prioritet i Qeverisë ka qenë përfshirja më e madhe në arsimin e lartë, derisa tani ka shtuar se do t’i kthehet përmirësimit të cilësisë.
Mustafa ka thënë se fushë tjetër me prioritet për zhvillim është fusha e shëndetësisë, ku ka shtuar se do të fuqizohen spitalet e qyteteve tjera dhe QKUK-ja, në mënyrë që pacientët e Kosovës mos të shkojnë jashtë vendit për shërim. Me këtë rast, Mustafa tha se që nga viti i ardhshëm do të fillojë të aplikohet edhe sigurimi shëndetësor, gjë që sipas tij, do ta përmirësojë jetën e qytetarëve.
Në fund të ligjeratës kryeministri Isa Mustafa i është përgjigjur edhe interesimeve të studentëve, të cilat kryesisht kanë pasur të bëjnë me ndërtimin e kampusit të universitetit. Për këtë kryeministri ka thënë se është duke bashëkpunuar edhe me kryetarin e Komunës në mënyrë që të gjendet një zgjidhje më e mirë e mundshme për të gjithë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan