Konferenca Ndërkombëtare Vjetore – UKZ AC 2025 /“Teknologjia, Shkenca dhe Arsimi: Rrugët drejt një Shoqërie Inteligjente”

2 Qershor, 2025

Nën organizimin e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka filluar punimet Konferenca e katërt Ndërkombëtare Vjetore – UKZ AC 2025  me temën qendrore “Teknologjia, Shkenca dhe Arsimi: Rrugët drejt një Shoqërie Inteligjente” që po i zhvillon punimet sot dhe do të vazhdoj edhe nesër, e që është një ndër ngjarjet më të rëndësishme akademike të vitit, e cila mbledh studiues, akademikë, drejtues institucionesh dhe përfaqësues të lartë vendorë e ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet më të fundit në arsim, shkencë, teknologji dhe fusha të tjera të rëndësishme për shoqërinë bashkëkohore.

 

Prorektores për Kërkime Shkencore dhe Inovacione, Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli, në UKZ njëherësh kryetare e Këshillit Organizativ, theksoi se ky organizim është një dëshmi e përkushtimit të UKZ-së për avancimin e kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Kosovë. Ajo prezantoi  Komunitetin e  Kërkimit dhe Zhvillimit shkencor të Konferencës, ku panelistë ishin, Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit Publik “Kadri Zeka, Prof. Dr. Fiorenza Deriu Universiteti “La Sapienza”, Romë, Prof. Dr. Rifat Škrijelj Universiteti i Sarajevës, Prof. Dr. Eva Cipi – Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë, Prof. Dr. Bledar Prifti – Kolegji St. Petersburg,  dhe Matthew Coates – EU STEM Coalitio.

 

Në ceremoninë hapëse, Rektori i Universitetit Publik  “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e Konferencës  për krijimin e urave të bashkëpunimit midis institucioneve akademike të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Rektori tha se në një botë të përshpejtuar nga zhvillimet teknologjike dhe ndryshimet strukturore globale, roli i universitetit si një qendër kritike e prodhimit të dijes dhe formimit të kuadrove intelektuale bëhet edhe më i rëndësishëm. “Kjo konferencë nuk është thjesht një takim i radhës i komunitetit shkencor, por një platformë dialogu ndërdisiplinar, ku idetë sfidohen, konceptet përpunohen dhe ku ndërlidhen perspektiva të ndryshme akademike me realitete konkrete shoqërore,” tha Rektori Dërmaku.

Ai shtoi se tema e këtij edicioni mishëron një qasje gjithëpërfshirëse ndaj sfidave që lidhen me integrimin e teknologjisë në proceset e edukimit dhe në zhvillimin e politikave publike. Kjo qasje e re kërkon jo vetëm njohuri të thelluara teknike dhe shkencore, por edhe ndërgjegjësim etik, vizion strategjik dhe kapacitete të reja bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar. “Universiteti Publik “Kadri Zeka”, si një institucion i arsimit të lartë në zhvillim të vazhdueshëm, e sheh këtë konferencë si pjesë përbërëse të misionit të tij për të promovuar një kulturë kërkimore të orientuar drejt ndikimit shoqëror dhe për të përkrahur akademinë si motor i progresit. Ndërveprimi që krijohet nëpërmjet një konference të këtij profili ka potencialin të tejkalojë kufijtë tradicionalë të disiplinave dhe të gjenerojë mendësi të reja rreth mënyrës se si duhet të qasemi ndaj të ardhmes, qoftë përmes edukimit të gjeneratës së re, qoftë përmes politikave të zhvillimit të qëndrueshëm, apo përmes risive shkencore dhe teknologjike”, ka thënë në fjalën e tij Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dëramku.

Rektori Prof. Dr. Gjokë Uldedaj nga Kolegji Universitar “Qiriazi”,  theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve në ndërtimin e një shoqërie të dijes.

Prof. Dr. Ismail Kocayusufoglu Rektor në Canadian Institute of Techonology, ndanu përvojat dhe vizionin e tij për sfidat dhe mundësitë që paraqiten për arsimin e lartë në rajon.

Prof. Dr. Blerim Rexha, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, i njohur për kontributin e tij në teknologji dhe zhvillimin e inovacioneve në fushën e inteligjencës artificiale, përshëndeti punën e palodhshme të institucioneve arsimore në këtë rast të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, duke theksuar rëndësinë e përkrahjes që duhet ta ketë Universiteti në aspektin financiar për kërkimet shkencore.

Venera Llunji, Prorektore për Bashkëpunim të Jashtëm në Kolegjin AAB, potencoi rëndësinë që bashkëpunimet ndërinstitucionale dhe ndërkombëtare kanë për rritjen e cilësisë në edukim dhe krijimin e projekteve të përbashkëta akademike.

Mihane Kerolli, Rektore në IBCM, tha se konferenca është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e arsimit të lartë dhe për të promovuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave mes institucioneve me profile të ndryshme akademike.

Nehat Dervishi, koordinator në projektin SHER, i cili ka mbështetur zhvillimin dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Kosovë, tha se angazhimi i institucioneve si UKZ në organizimin e konferencave të tilla është një sinjal pozitiv për rritjen e cilësisë dhe vizionit afatgjatë në arsim.

Igli Totozani, drejtor i OSBE-së në Kosovë, tha se organizime të tilla janë jetike për zhvillimin demokratik dhe përgatitjen e të rinjve për një treg global pune që kërkon dije, kreativitet dhe bashkëpunim ndërkulturor.

Pas hapjes së  Konferencës, filloi Sesioni Plenar, me fjalime të nivelit të lartë nga folës të njohur ndërkombëtarë të cilin e nisi Prof. Dr. Fiorenza Deriu nga Universiteti “La Sapienza”, Romë  e cila paraqiti temën “Algoritmet dhe Big Data: Një analizë kritike e mekanizmave që riprodhojnë pabarazitë shoqërore”, kurse Prof. Dr. Rifat Škrijelj nga Universiteti i Sarajevës prezantoi punimin me temën “Roli i udhëheqjes universitare në integritetin institucional të arsimit të lartë”, Prof. Dr. Eva Cipi nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë prezantoi punimin shkencor me temën “Mjetet e inteligjencës artificiale në arsimin e hershëm: Mundësi dhe sfida”, Prof. Dr. Bledar Prifti  nga St. Petersburg College, përmes lidhjen online paraqiti temën “Pozita e Kosovës në rendin e ri global: Sfidat dhe mundësitë”, ndërsa Matthew Coates nga EU STEM Coalition, prezantoi temën  “STEM dhe vlera e përbashkët për zhvillimin e qëndrueshëm”.

Pas këtyre  prezantimeve, me propozim të Këshillit Organizativ të Konferencës dhe me vendim të Rektorit të UKZ-së, Prof. Asoc.Dr.  Artan Dërmaku, i ka dhënë Çmimin e Konferencës Vjetore të UKZ-së “Marin Barleti” për Prof. Dr. Rifat Škrijelj nga Universiteti i Sarajevës. Ky çmim  i dedikohet arritjeve të personaliteteve të njohura nga bota e shkencës për arritje të jashtëzakonshme në hulumtime shkencore-akademike në arsimin e lartë, kontributeve thelbësore kërkimore, çështjeve të reja, ideve, bashkëpunimit dhe perspektivave të tjera. Konsiderata shtesë përfshijnë rolet e lidershipit, si dhe marrëdhëniet aktuale apo potenciale ndërmjet kërkimit të bërë dhe përmirësimit të arsimit të lartë në përgjithësi, nëpërmjet lidhjeve ndërmjet studiuesve dhe IAL-ve në vende të ndryshme me Universitetin Publik “Kadri Zeka”.

Partneri i UKZ- së  Ismail Bahtijari drejtor i Institutit INSI ka ndarë mirënjohjen për laureatin e çmimit “ Marin Barleti”  Prof. Dr. Rifat Shkrjel.

Më pas Konferenca zhvillojë punimet edhe në 6 sesione paralele në kuadër të Fakulteteve të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, të titulluara: EduDay Conference, Justice Conference, Economics Conference, DiGiDay Conference, MathDay Conference, Social Science Conference.

Konferenca katërt Ndërkombëtare Vjetore – UKZ AC 2025 “Teknologjia, Shkenca dhe Arsimi: Rrugët drejt një Shoqërie Inteligjente” do të vazhdojë punimet edhe gjatë ditës së  nesërme, në sesione të ndryshme të organizuara nga fakultetet përkatëse të Universitetit Publik “Kadri Zeka”. Pjesëmarrësit pritet të paraqesin punimet e tyre shkencore, të shkëmbejnë përvoja dhe të zhvillojnë diskutime për çështjet më aktuale në arsim, drejtësi, teknologji, ekonomi, matematikë dhe shkenca sociale, ku në përfundim të prezantimeve të gjithë pjesëmarrësit do të pajisen me certifikatë. Po ashtu në kuadë të Konferencës, do të mbahen edhe punëtori të Grupeve të Kërkimit dhe Zhvillimit.  Përmes kësaj konference, UKZ konfirmon edhe një herë rolin e tij si një qendër e rëndësishme akademike dhe shkencore në rajon, duke promovuar cilësinë, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në arsimin e lartë.