Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike të Kosovës mbajti një takim pune në Universitetin “Fehmi Agani” në Gjakovë.
Rektorët e universiteteve publike diskutuan për procesin e miratimit në Kuvendin e Kosovës të statuteve të Universitetit të Gjilanit, të Mitrovicës, të Gjakovës dhe të Ferizajit si dhe për miratimin e ndryshimeve statutare të Universitetit të Prishtinës, të Prizrenit dhe të Pejës. Ashtu si janë dakorduar me ministrin e MASHTI, z. Lika, universitetet publike do të përgatisin projektet finale të statuteve deri më datën 1 gusht 2020, të njëjtit do të diskutohen me Zyrën Ligjore të MASHTI deri më datën 1 shtator 2020 dhe pastaj do të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për miratim. Rektorët shpresojnë që 1 tetorin e sivjetëm ta fillojnë me statutet e reja të universiteteve publike.
Po ashtu u diskutua edhe pavarësimi buxhetor i universiteteve publike. Pas dakordimit me ministrin e MASHTI, z. Ramë Likaj, me ministrin e Financave dhe Transfereve, znj. Hykmete Bajrami (në kohën kur ishte ministre e MASHTI) dhe me kryeministrin e Kosovës, z. Avdullah Hoti, secili universitet publik duhet të pavarësohet nga MASHTI në menagjimin e bugjetit vetjak, duke e krijuar kodin e veçantë bugjetor në Ligjin për Buxhet për vitin 2021. Universitetet presin që procedurat të kryhen para dëgjimeve bugjetore për vitin 2021, në mënyrë që në këto dëgjime të marrin pjesë drejtpërdrejt universiteti me Ministrinë e Financave dhe Transfereve.
Konferenca e Rektorëve mirëpret edhe angazhimin e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës në favor të këtyre dy çështjeve të rëndësishme për universitetet publike në Kosovë.
Komunikate e Konferences se Rektoreve
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan