Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para studentëve të UKZ-së ka mbajtur sesion informues për zgjedhjet parlamentare

10 Dhjetor, 2024

Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka filluar një seri takimesh informuese me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve dhe studentëve mbi procesin zgjedhor dhe ndryshimet ligjore që lidhen me të.

Një takim informues u mbajt me studentët e Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ku Valerian Bajrami, Zyrtar Ekzekutiv i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Gjilan, së bashku me anëtarë të tjerë të KQZ-së, ndanë informacione të rëndësishme për aspektet e procesit zgjedhor.

Gjatë takimit u diskutua për ndryshimet ligjore dhe periudhat e ndryshme të procesit zgjedhor, ndërimin e qendrës së votimit brenda komunës, kundërshtimin dhe konfirmimin e Listës Votuese, regjistrimin për votim përmes ekipeve mobile për personat me nevoja të veçanta, dokumentet e pranueshme për identifikim në vendvotim, regjistrimin dhe votimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin me kusht dhe procedurën e plotësimit të fletëvotimit.

Po ashtu, qytetarët do të informohen për procesin e numërimit të votave në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si pjesë e fushatës së gjerë informuese të KQZ-së.

Kjo iniciativë synon rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të marrë pjesë aktive dhe të informuar në zgjedhjet e ardhshme, duke siguruar një proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës.