Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan është universiteti i parë ne të cilin kanë qëndruar në vizitë anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku me bashkëpunëtorë, në takimin me anëtarët e Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, të përbërë nga deputetët Ardian Gola kryetar i Komisionit, Arjeta Rexhepi anëtare dhe Arjeta Fejza anëtare, ku e pranishme në këtë takim ishte edhe nënkryetarja e Komunës së Gjilanir Leonora Bunjaku Morina, fillimisht i ka njoftuar ata për zhvillimin e Universitetit, që nga themelimi, programet e studimit, aktivitetet, zhvillimet dhe të arriturat e gjithmbarshme.
Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja për së afërmi me aktivitetet, punën dhe sfidat me të cilat ballafaqohet Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Rektori Dërmaku theksoi prioritetet e punës së tij, duke theksuar procesin e ri/akreditimit institucional dhe të programeve studimore si dhe zhvillimin e aspektit akademik në ngritjen e cilësisë. Ai theksoi edhe problematikën e buxhetit të ulët të institucionit, si dhe mungesën e kampusit universitar.
Për projektet për të ardhmen, Rektori mori mbështetjen e plotë të kryesuesit të komisionit, Ardian Gola, dhe anëtarëve të tij. Gola theksoi se komisioni do të bashkëpunojë me UKZ-në, por edhe me institucionet e tjera relevante, për të adresuar problematikat, me të cilat po përballet arsimi i lartë, përfshirë UKZ-në si institucion lider.
Më pas të gjithë së bashku kanë vizituar ambientet e UKZ-së për të parë nga afër sallat, kabinetet dhe hapësirat tjera nëpër të cilat zhvillohet procesi mësimor.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan