KK në Gjilan ka vendosur për ndarjen e hapësirës për Kampusin modern të UKZ-së

11 Mars, 2025

Asamblistët e Kuvendit Komunal të Gjilanit kanë miratuar rekomandimin/propozimin e Kryetarit të Komunës z. Alban Hyseni, për dhënien në shfrytëzim të një prone të paluajtshme të komunës, me sipërfaqe prej 8,327 m², për një periudhë 30-vjeçare, për ndërtimin e kampusit universitar të Universitetit Publik “Kadri Zeka”. Hapësira e caktuar ndodhet pranë shkollave të mesme në Gjilan. Ky vendim, i iniciuar nga UKZ, është një hap i rëndësishëm drejt realizimit të këtij projekti madhor.

Vendimi vjen si përgjigje ndaj sfidave të shumta me të cilat është përballur universiteti, përfshirë mungesën e hapësirave të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve mësimore dhe kërkimore.

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka falënderuar Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Gjilanit, z. Kushtrim Kadriu, Kryetarin e Komunës, z. Alban Hyseni, si dhe përfaqësuesit e partive politike në Kuvend për mbështetjen dhe kontributin e tyre në miratimin e këtij vendimi. Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional për zhvillimin e arsimit të lartë në rajon. Sipas Rektorit Dërmaku, ky është një hap i madh drejt përmirësimit të kushteve për studentët dhe stafin. “Miratimi i këtij vendimi është një moment kyç për Universitetin Publik “Kadri Zeka” dhe të ardhmen e arsimit të lartë në Gjilan. Ne jemi të përkushtuar të sigurojmë mbështetje institucionale për të bërë realitet ndërtimin e një kampusi modern, i cili do të ofrojë kushte optimale për studentët dhe stafin,” – ka deklaruar ai. Rektori Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku ka theksuar nevojën urgjente për zgjerim dhe ndërtimin e një infrastrukture moderne, e cila do të përmbushë standardet bashkëkohore të arsimit të lartë.

Për të siguruar mbështetje institucionale dhe financiare për këtë projekt, rektori ka zhvilluar takime të vazhdueshme me përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, duke potencuar rëndësinë e kampusit universitar si një domosdoshmëri për të ardhmen e UKZ-së.

Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim është përfshirja e projektit të financuar nga Banka Evropiane për Investime (BEI) “Vlerësimi i fizibilitetit dhe nevojave për Institucionet Publike të Arsimit të Lartë në Kosovë”, i implementuar nga një konsorcium i udhëhequr nga SOFRECO. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të mbështesë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) në përmirësimin e standardit të infrastrukturës së arsimit të lartë dhe në mbështetje të ofrimit të shërbimeve arsimore në institucionet publike të arsimit të lartë. Në kuadër të këtij projekti, ekspertë të Bankës Evropiane për Investime kanë analizuar nevojat infrastrukturore të UKZ-së, duke ndihmuar në hartimin e një plani të qëndrueshëm zhvillimi. Kjo analizë ka shërbyer për të identifikuar prioritetet kryesore të ndërtimit të kampusit, duke siguruar që projekti të jetë i realizueshëm dhe i qëndrueshëm në afatgjatë. Në përputhje me këtë projekt, MAShTI ka informuar UKZ-në se është në përgatitje të dokumentacionit për aplikim në projektet e WBIF(Fondet për Investimet në Zhvillimin e Ballkanit Perëndimor).

Nga vlerësimi i nevojave infrastrukturore, takimet me institucionet vendore dhe qendrore, e deri te miratimi nga Asambleja Komunale e Gjilanit, procesi për ndërtimin e kampusit universitar të UKZ-së ka bërë hapa të rëndësishëm përpara.

Studentët dhe stafi akademik e kanë pritur me entuziazëm këtë vendim, duke e cilësuar si një investim kyç për të ardhmen e arsimit në Gjilan dhe në Kosovë. Ata presin që fillimi dhe zbatimi i projektit të kampusit të filloj sa më shpejt të jetë e mundur.