U.D. së rektorit të Universitetit “Kadri Zeka”, Naim Syla, ka takuar nënkryetarin e Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, me të cilin kanë biseduar për hapat që do të ndërmerren gjatë të ardhmes në projektimin dhe nisjen e ndërtimit të kampusit të Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan.
Me planin urbanistik parashihet që ky ndërtim të ndërtohet te Kazerma e Forcave të Armatosura në Kosovës në rrugën Gjilan – Bujanoc. Me këtë rast, Naim Syla, U.D. i rektorit të universitetit “Kadri Zeka”, ka thënë se ministria e Arsimit ka ndarë një pjesë të mjeteve për projektin ideor të kampusit të universitetit, por në këtë drejtim duhet një angazhim konkret i Komunës së Gjilanit dhe i ministrisë së FSK-së për të dhënë kontribut edhe nga ana e tyre zyrtare. “Është një fat shumë i mirë që MASHT-i ka ndarë një pjesë të mjeteve për të bërë hartimin e projektit ideor të universitetit.
Ajo çka duhet tani është të bëhet një marrëveshje e përbashkët mes treshes institucionale, MASHT, MFSK dhe Komunës së Gjilanit për ti hapur rrugë këtij ndërtimi që është mese i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Fat i madh është që ajo pjesë është shumë e përshtatshme për këtë qëllim, e planifikuar me planet urbanistike dhe shpresojmë se mes ministrit të FSK-së, atij të arsimit dhe Kryetarit të Komunës së Gjilanit të gjendet një zgjidhje edhe për lirimin e asaj hapësire, apo gjetjen e ndonjë hapësire tjetër nëse është e nevojshme”, ka thënë ndër të tjerash U.D. rektori Naim Syla, duke shtuar se objekti në të cilin punon tani universiteti nuk i plotëson kushtet për një punë të tillë dhe për një numër të madh të studentëve. Nga ana tjetër nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, ka thënë se gatishmëria e kryetarit, Lutfi Haziri, është shumë e madhe për të nisur me punë në përgatitjen e hapësirës për ndërtim të universitetit sepse është interes ndërkufitar dhe ndër-regjional.
Kryetari Haziri është i përkushtuar që krahas shumë projekteve, të punoj konkretisht edhe në kampusin e universitetit nga këndi i përgjegjësisë së nivelit lokal, por edhe nxitje të nivelit qendror për një lëvizje më të shpejtë në këtë drejtim. Me planin urbanistik hapësira te FSK, është e planifikuar për qendrën universitare. Gjilani më shumë se çdo regjion tjetër meriton që ky projekt i madh ndërkufitar dhe ndër – regjional të realizohet sa më shpejtë, sepse inkuadron student nga komuna të ndryshme brenda Kosovës por edhe nga komunat në luginë të Preshevës, në pjesën e Maqedonisë dhe gjetiu”, ka thenë nënkryetari Kadriu. Ai ka garantuar për një mbështetje të pakursyer të Komunës së Gjilanit në ndërtimin e kampusit universitar.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan