Delegacioni i Universitetit PH Zug nga Zvicra, i shoqëruar nga menaxhmenti i Universitetit Publik ‘Kadri Zeka”, në ditën e dytë të qëndrimit në Gjilan, respektivisht në UKZ, ka vizituar Komunën e Gjilanit ku janë pritur nga Kryetari i Komunës Alban Hyseni me bashkëpunëtorë.
Kryetari Hyseni i ka informuar mysafirët nga Zvicra për historikun e Gjilanit, traditat, bashkëjetesën mes komuniteteve, sistemin politik, dhe për sfidat e prioritetet që ka Gjilani dhe Kosova në përgjithësi.
Kryetari Hysni ka falënderuar delegacionin e Universitetit të Zug për vizitën, duke thënë se ndihet jashtëzakonisht mirë që Universiteti Publik ‘Kadri Zeka” ka bashkëpunim me PH Zug, pasi që është mundësi e mirë për të shkëmbyer përvoja mes vete si dy universitete të shkëlqyera.
Kurse Rektorja e PH Zug Prof. Dr. Esther Kamm, tha se ndihet e impresionuar me punën e Universitetit “Kadri Zeka” në shumë aspekte.
Në emër të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, ka folur prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, i cili e ka falënderuar kreun e Komunës për mirëpritjen.
Gjatë ditës janë zhvilluar vizita në dy shkollat e komunës së Gjilanit, në Shkollën Fillore “Selami Hallaqi” ku delegacioni i UKZ i udhëhequr nga prorektori për buxhet dhe financa Prof. Ass. Dr. Bajram Fejzullahu dhe delegacioni i PH Zug udhëhequr nga rektorja Prof. Dr. Esther Kamm, janë pritur në takim nga drejtori z. Florim Maloku dhe mësimdhënësit e shkollës dhe po ashtu në Shkollën Fillore “Musa Zajmi”, ku kanë pasur takim me drejtorin z. Ramadan Dërmaku dhe mësimdhënësit e shkollës. Gjatë këtyre takimeve është diskutuar rreth punës së mësimdhënies që bëhet nëpër ato shkolla.
Ndryshe kjo vizitë është si rrjedhojë e marrëveshjes së bashkëpunimit që Universiteti ‘’Kadri Zeka’’ ka me Universitetin ZUG, në këmbim të mobilitetit të menaxhmentit, stafit akademik e administrativ dhe studentëve.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan