Ka përfunduar punëtoria në kuadër të projektit QUADIC mbajtur në Lubjanë të Sllovenisë

10 Qershor, 2022

Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Dr. Bajram Kosumi, së bashku me  Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka prorektor për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Minire Rexhepi nga zyra për Komunikim me Publikun dhe Diana Kërçeli nga Zyra e Financave, kanë qëndruar në një vizitë zyrtare në Lubjanë të Sllovenisë. Gjatë kësaj vizite ata kanë marrë pjesë në punëtorinë që është mbajtur në kuadër të  projektit QUADIC, projekt  i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i fituar në programin ERASMUS +, për zhvillimin cilësor të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe menaxhimit të  projektit.

Gjatë punëtorisë është mësuar rreth përvojave të  Universitetit të Lubjanës në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, projekteve, transferit të njohurive, analizës së tregut, por edhe çështje tjera të ndërlidhura me projektin QUADIC.

Fillimisht është prezantuar puna e Universitetit të Lubjanës, rrjetet ndërkombëtare nga Boshtjan Markoli, Prorektor për Ndërkombëtarizim dhe Cilësi,  si dhe Prof. Dr.Katja Cerar, shefe e Zyrës për Ndërkombëtarizim. Më pas janë prezantuar aktivitetet e Zyrës së Projekteve të Universitetit, nga Miha Lebiç, shef i Zyrës së Projekteve, kurse Staška Mrak Jamnik, asistent Sekretar i Përgjithshëm nga  Zyra Universitare për Hulumtim e bashkëpunim në programet dhe projektet kombëtare dhe të BE-së, ka prezantuar Qendrat e Ekselencës, kompetencat, infrastrukturën kërkimore, kurse rreth bashkëpunimit me ekonominë dhe shoqërinë, transferimin e  njohurive dhe teknologjisë e ka paraqitur Jana Šav, nga zyra e Transferimit të Njohurive. Në ndërkohë gjatë punëtorisë është prezantuar edhe sistemi i cilësisë, me theks në treguesit e ndërkombëtarizimit nga Prof. Dr. Tomaž Deželan, këshilltar i Rektorit për Cilësi dhe Zhvillim, e po ashtu është prezantuar promovimi i rezultateve të kërkimit shkencor në Universitetin e Lubjanës, nga Darja Lisjak, Shefe e Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun.

Për procedurat e aplikimit dhe pranimit, mbështetjen për studentët ndërkombëtarë, ka folur Tanja Žužek, shef i Shërbimit të Aplikimit dhe Informacionit për Arsimin e Lartë i Universitetit të Lubjanës. Në kuadër të punëtorisë është vizituar Fakultetit Bioteknik i Universitetit të Lubjanës, për të cilin ka folur Karla Šturm, asistente/ sekretare dhe Marina Pintar, Prodekane për Çështje Akademike. Prezantimi i praktikave më të mira (aplikimi dhe zbatimi i projekteve të BE-së), është prezantuar nga Prof. Marko Petrič, zhvillimin e  Shërbimeve të Qendrës së Karrierës dhe Klubeve të Alumnive në Fakultetin Bioteknik, e ka paraqitur Milena Zoriq, prezantimi i aktiviteteve të Zyrës së Menaxhimit të Projektit me fokus të veçantë në projektet e sistemit të  menaxhimit të dokumentacionit i përdorur në UL (GovernmentConnect), është paraqitur nga Mateja Bregant Perić, shef i Zyrës së Menaxhimit të Projekteve.

Fakulteti Bioteknik i Universitetit të Lubjanës, ka edhe Kopshtin Botanik, ku të gjithë pjesëmarrësit në punëtori kanë zhvilluar një vizitë, për të parë nga afër punën dhe kultivimin e bimëve të vëcanta që bëhen aty, të cilat i ka prezantuar dr. Jože Bavcon, shef i Kopshtit Botanik të Fakultetit Bioteknik.

Derisa prezantimin e punës së zyrës Ndërkombëtare të Fakultetit Bioteknik, e ka bërë Katarina Rihtaršič, e cila së bashku me studentët ndërkombëtar kanë paraqitur po ashtu përvojat e shkëmbimit.

Gjithahstu është mbajtur edhe një aktivitet, punë në grupe, Green Erasmus+, e udhëhequr nga zyrtarja  Katarina Rihtaršič dhe shefja e Zyrës Ndërkombëtare, prof. Majda Černič Istenič,

Në ndërkohë është mbajtur mbledhja e Bordit për Zbatimin e Projektit QUADIC si dhe mbledhja e Komitetit Drejtues, për të parë zhvillimin e deritashëm të projektit.

Projekti QUADIC ka për qëllim të ndërtojë kapacitetin institucional për ndërkombëtarizimin e Arsimit të Lartë në Kosovë dhe Shqipëri, duke përmirësuar kapacitetin për zhvillimin dhe menaxhimin e projektit përmes ekspertizës ndërkombëtare të vënë në dispozicion nga IAL evropiane me partneritet në këtë projekt dhe shkëmbimit të praktikave të mira midis anëtarëve të konsorciumit.

Partnerë të projektit QUADIC janë: University “Kadri Zeka” GJILAN, Coordinator/ Grant Holder, International Business College Mitrovica, University of Gjakova “Fehmi Agani”, University of Prizren “Ukshin Hoti”, University of Prishtina “Hasan Prishtina”, Universite de Nice Sophia Antipolis, Technical University of Sofia, University of Medicine Tiranë, University of Ljubljana, Heimerer College, University of Peja ‘Haxhi Zeka”, University of Durres “Aleksandër Xhuvani”, University of Mitorvica “Isa Boletini”, European University of Tirana, International University for Business and Technology, University of Korça “Fan S. Noli”, University of Gjirokastra “Eqrem Qabej”, Universita Per Stranieri Di Perugia.