Informohen studentët e Universitetit “Kadri Zeka” rreth konstituimit të Unionit të Studentëve të Republikës së Kosovës

24 Shkurt, 2016

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka hartuar dhe miratuar bazën ligjore për themelimin dhe funksionalizimin e Unionit të Studentëve të Republikës së Kosovës – USRK. Lidhur me këtë sot në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan ka qëndruar Bekim Samadraxha nga MASHT dhe Lulete Aliu nga WUS Kosova të cilët janë mirëpritur nga Shpresë Qamili prorektore  për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve dhe Vaxhid Sadriu sekretar i përgjithshëm. Ndërkohë  zyrtarë të MASHT dhe të WUS Kosova kanë informuar studentët e Universitetit tonë rreth procedurave për konstituimin e Unionit, rolin dhe rëndësinë e përfaqësimit të një studenti nga ana e Universitetit “Kadri Zeka”  në këtë Union.

Unioni i Studentëve të Republikës së Kosovës-USRK, ka për qëllim përfaqësimin e interesave të studentëve me pjesëmarrje nga të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë të licencuar dhe akredituar në Kosovë.

Themelimi dhe funksionalizimi i USRK mbështetet përmes projektit të TEMPUS të financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetja për Ndërkombëtarizimin e Sistemit të Arsimit të Lartë të Kosovës përmes krijimit të Unionit të Studentëve të Kosovës – SIHEKSU”, i cili zbatohet në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, universitetet në Kosovë dhe disa universitete evropiane.

Unioni i Studentëve të Republikës së Kosovës -USRK do të ketë statusin e entitetit publik dhe të gjithë studentët e regjistruar që vijojnë studimet në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Kosovës do të mund të jenë anëtarë të USRK.

Themelimi dhe funksionalizimi i USRK paraqet hap të rëndësishëm për arsimin e lartë, përkatësisht për institucionalizimin e rolit të studentëve dhe Ministria në bashkëpunim me organet e zgjedhura të USRK dhe partnerët zhvillimor do të mbështesë konsolidimin e qëndrueshëm të USRK, anëtarësimin e tij në mekanizmat ndërkombëtarë, përfshirë Unionin e Studentëve të Evropës.

MASHT2  MASHT3