GIZ Kosovo prezanton raportin e vlerësimit të Zyrës për Zhvillim të Karrierës të UKZ-së

26 Tetor, 2021

GIZ Kosova ka prezantuar raportin për vlerësimin e zyrave për zhvillim të karrierës të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan dhe të Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë.

Në takimin virtual ishin të pranishëm Minire Rexhepi, nga Zyra për Karrierë e Universitetit Publik “Kadri Zeka” , Freskina Mula nga Qendra për Zhvillim të Karrierës e Universitetit “Fehmi Agani”, përfaqësuesit e GIZ Kosovo, Nexhmedin Basha si dhe Arnisa Aliqkaj.

Ky raport është punuar nga konsulenti i angazhuar nga GIZ Kosova, profesor Arben Hysenaj, me qëllim të mbështetjes së Zyrës për Zhvillim të Karrierës në Universitetin “Kadri Zeka”  në Gjilan.

Në raport është paraqitur vlerësimi i nevojave të zyrës së karrierës, orientimi në funksionalizimin e mëtutjeshëm të zyrës së karrierës dhe propozimi i mundësisë për rritje të kapaciteteve të zyrës së karrierës në kuadër të Universitetit.

Vlen të theksohet që GIZ Kosova është duke e mbështetur Zyrën për Zhvillim të Karrierës në UKZ, si dhe me projektin “Mbështetje psiko-sociale dhe këshillim në karrierë” në ofrimin e shërbimeve për studentë.