Eurodeputeti Lukas Mandl viziton Universitetin Publik “Kadri Zeka” dhe mban diskutim mbi integrimin e Kosovës në BE

28 Mars, 2025

Në ambientet e Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, u mbajt një diskutim i rëndësishëm me temën: “Kosova dhe integrimi i saj në BE – Sfidat dhe Perspektivat”, ku panelist ishte Eurodeputeti dhe “Doctor Honoris Causa” i UKZ-së, z. Lukas Mandl.

Para diskutimit, Eurodeputeti z. Lukas Mandl u prit nga Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dermaku, me të cilin zhvilloi një takim mbi rëndësinë e arsimit të lartë në procesin e integrimit evropian të Kosovës. Gjatë këtij takimi, rektori shprehu falënderimet e tij për vizitën e eurodeputetit dhe theksoi rolin e UKZ-së si një institucion që promovon vlerat demokratike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Është nder për Universitetin tonë të kemi sot këtu një mik dhe mbështetës të fuqishëm të Kosovës si z. Lukas Mandl. Diskutimet e tij u japin studentëve tanë mundësinë të mësojnë nga përvoja ndërkombëtare dhe të kontribuojnë në debatin për të ardhmen e vendit tonë në Bashkimin Evropian,” tha Rektori Dermaku.

Në diskutimin e mbajtur me studentë, profesorë dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore dhe lokale, z. Lukas Mandl foli për sfidat dhe mundësitë e Kosovës në rrugën drejt integrimit në BE. Ai ritheksoi mbështetjen e tij për Kosovën, duke e cilësuar atë si një partner të rëndësishëm evropian.

“Kosova ka dëshmuar përkushtim ndaj vlerave evropiane dhe meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Procesi i integrimit nuk është i lehtë, por me angazhim dhe bashkëpunim, Kosova do të ketë një të ardhme të ndritur në familjen evropiane,” u shpreh z. Mandl.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik si faktorë kyç për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit.

Në vijim të reflektimeve të tij mbi demokracinë dhe pjesëmarrjen politike, eurodeputeti austriak Lukas Mandl theksoi rëndësinë e lirisë së shprehjes dhe angazhimit qytetar për të ruajtur një shoqëri demokratike.

Mandl gjithashtu nënvizoi se një demokraci e vërtetë ka mundësinë për të gjithë të votojnë dhe të kandidojnë, duke shtuar rëndësinë e të drejtës jo vetëm për të votuar, por edhe për të qenë i zgjedhur.

Gjatë diskutimit, studentët patën mundësinë të shtronin pyetje mbi sfidat aktuale të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe rrugën drejt anëtarësimit në BE. Pjesëmarrësit u angazhuan në një debat të hapur mbi reformat që Kosova duhet të ndërmarrë dhe rolin e rinisë në këtë proces.

Një nga momentet më të veçanta të ngjarjes ishte përkushtimi i eurodeputetit Mandl për të vazhduar mbështetjen e tij për Kosovën në Parlamentin Evropian, duke theksuar se do të vazhdojë të jetë një zë i fuqishëm për njohjen dhe avancimin e vendit në skenën ndërkombëtare.