Libri “Zhanret e gazetarisë” i autorit Bajram Kosumi, Rektor i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, që u promovua në hapësirat e Bibliotekës Ndërkombëtare në Prishtinë, është fryt i punës dhjetë vjeçare, një libër praktik dhe teorik për studentët e gazetarisë. Është libër që tregon se si shkruhen tekstet gazetare prej lajmit e deri te tekstet ironike siç është kozeria. Sqarohet në detaje edhe teoria për ndarjen e zhanreve në informative, analitike, publicistike e argëtuese.
Rektori i Universitetit “Kadri Zeka” njëherësh autor i librit “Zhanret e Gazetarisë”, gjatë promovimit tha se ndjehet i lumtur që arriti ta botojë këtë libër, duke shprehur falënderim për të gjithë ata që kontribuuan në botimin e tij.
Një falënderim të veçantë, Rektori Kosumi ua dedikoi studentëve, pa të cilët tha se nuk do të ishte i mundur botimi i këtij libri.
Ai foli edhe për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi arsimor në Kosovë. “Kemi njerëz të zotë në Kosovë, kemi njerëz të mençur, shkencëtarë, por në institucionet tona të arsimit të lartë mungon pak fryma akademike”, ka shtuar ai.
Rektori Bajram Kosumi, autori i librit “Zhanret e gazetarisë” ka treguar për të pranishmit se libri ka qenë gati për botim qysh në vitin 2012, por ka zgjatur deri tani për shkak të përmirësimeve
Ndërsa Milazim Krasniqi, recensent i librit, u shpreh se promovimet e tilla janë rast që po reflektohet veçmas lidhur me injorimin kronik që është duke u bërë në Universitetin e Prishtinës, për nevoja të studentëve që të kenë libra universitarë cilësorë në gjuhën shqipe në pajtim me programin studimor. Profesori Krasniqi ka thënë se ky libër i Kosumit është shkruar me dashuri sublime për studentë dhe është fryt i komunikimit aktiv mes mësimdhënësit dhe studentëve të tij.
Safet Zejnullahu, doktorant në Universitetin e Prishtinës, ka folur gjithashtu për librin e Kosumit, në emër të botuesit UBT. Ai ka thënë se libri i Bajram Kosumit, më i riu, më i kompletuari është një kontribut shtesë për studentët, institucionet ku studiohet gazetaria.
Ndërkaq profesori Besim Abazi, , tha se në këtë kohë shumë të vështirë kur kufijtë midis zhanreve po thyhen për shkak të ndryshimeve të mëdha teknologjike, teknologjia e re na ka bërë të gjithëve gazetarë, por gazetarëve iu ka shtuar më shumë misionin.
Për librin ka folur edhe Osman Gashi, i cili e ka bërë faqosjen e librit, si dhe studentë të gazetarisë, të cilët theksuan se janë me fat që kanë qenë pjesë e ligjëratave të tij.
Më poshtëm gjeni videon gjatë promovimit të librit “Zhanret e gazetarisë” të rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan