Është organizuar takim me rastin e pensionimit të Prof. Ass. Dr. Bajram Fejzullahu

1 Prill, 2025

Prof. Ass. Dr. Bajram Fejzullahu ka arritur moshën e pensionimit, 65 vjet, për këtë Fakulteti Ekonomik në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, ka organizuar një takim, për të uruar profesorin Fejzullahu, me dëshirat më të mira për kontributin e tij dhënë arsimit e vendit, në jetën akademik e publike, në formimin e shumë brezave të studentëve dhe zhvillimin e institucioneve arsimore në vend.

Në këtë ceremoni, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Asoc. Dr. Xhevat Sopi, shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për Profesor Bajram Fejzullahun. Ai theksoi se ky është një moment reflektimi për një karrierë të lavdishme dhe se figura e tij ka qenë gjithmonë një model i lartë i profesionalizmit dhe dedikimit ndaj arsimit.

Në emër të Rektorit të Universitetit Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, ka folur Prorektorja për Mësimdhënie dhe Çështje të Studentëve, Prof. Asoc. Dr. Shprese Qamili. Ajo e falënderoi Profesor Fejzullahun për punën e tij të palodhur dhe për ndihmën e vazhdueshme që ka ofruar për përmirësimin e cilësisë akademike të universitetit.

Kurse vet Prof. Ass. Dr. Bajram Fejzullahu, falënderoi të gjithë kolegët, studentët dhe bashkëpunëtorët për mbështetje dhe për besimin që i dhanë gjatë gjithë karrierës së tij. Ai tha se puna në këtë institucion ka qenë një mundësi për të dhënë më të mirën për studentët dhe për të kontribuar në zhvillimin e arsimit në vend, ku pos tjerash ka pasur kënaqësinë të shoh shumë prej studentëve të tij të bëhen profesionistë të suksesshëm dhe të kontribuojnë në shoqërinë tonë dhe se kjo ka qenë një arsye e madhe për të vazhduar me pasion këtë rrugëtim gjithmonë.

Ndryshe Prof. Ass. Dr. Bajram Fejzullahu, për një mandat katër vjeçar 2019-2023, ka mbajtur edhe një pozicion të rëndësishëm si Prorektor për Buxhet dhe Financa në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në menaxhimin dhe administrimin e financave të universitetit.