Në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan në kuadër të programit “Guest Speaker” ka mbajtur ligjëratë Prof.Dr. Adem Tamo nga Shqipëria, me temën: “Vlerësimi objektiv dhe pandershmëria akademike – kopjimi”. Fillimisht Shpresë Qamili prorektor për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, pasi ka përshëndetur Prof. Dr. Adem Tamo, ka falënderuar atë për gatishmërinë për mbajtjen e ligjëratës para stafit akademik dhe studentëve të Universitetit tonë.
Ndërkaq në ligjëratën e tij me temën: “Vlerësimi objektiv dhe pandershmëria akademike – kopjimi”. Prof.Dr. Adem Tamo ka thënë se stafi akademik duhet te promovojë interes në të mirë të Universitetit gjithnjë duke punuar me parime të korrektësisë, ndershmërisë, mirësjelljes, vullnetit te mire, bashkëpunimit, moralit të lartë dhe objektivitetit, me qëllim që vlerësimi karshi studentëve të jetë në nivelin e duhur. Sipas profesor Adem Tamo, studentët e rregullt dhe ata me korrespodencë duhet të vlerësohen në baza të kritereve të vlerësimit të përcaktuara nga ligjëruesi i lëndës përkatëse të paraqitura në syllabuset që ligjëruesi i prezanton para studentëve. Metodologjia e vlerësimit është e drejtë e secilit ligjërues, por secili ligjërues duhet të bëjë një kombinim të metodave të vlerësimit duke kombinuar punimet gjatë semestrit dhe provimit përfundimtar.
Kurse sa i përket kopjimit profesor Tamo ka thënë se përmes kësaj dukurie studentët pas përfundimit të studimeve, nuk mundë të zhvillojnë kompetencat që janë të domosdoshme për t’u përballur në të ardhmen me sfidat e mëdha të kohës postmoderne dhe të shekullit XXI. Kjo është një veti apo shprehi e keqe , jo vetëm atyre të rinjve, pasi që me kopjime nuk ka mundësi të zhvillohen aftësitë që janë të domosdoshme për të siguruar një vend pune, apo për të qenë konkurrent në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Nga të pranishmit ka patur mjaft interesime, të cilët kanë kontribuar me mendimet e tyre në ligjëratën me temën: “Vlerësimi objektiv dhe pandershmëria akademike – kopjimi”.
Ata kanë thënë se studentët në Kosovë më shumë ngarkohen me teori dhe bëjnë studime teorike, sesa që pajisen me shkathtësi dhe me kompetenca që do t’i hynin në punë karrierës së tyre si ekspertë të ardhshëm.
Copyright © 2017 Universiteti KADRI ZEKA Gjilan