Dy studente të Universitetit “Kadri Zeka” dhe një profesor kanë përfituar nga projekti Erasmus Mundus GREEN TECH WB

6 Qershor, 2016

Dy studente të Universitetit “Kadri Zeka” dhe një profesor, kanë fituar bursë ne kuadër të programit “Erasmus Mundus GREEN TECH WB’’, thirrja e dytë ,  pjesë e së cilit është Universiteti ynë.

Kështu  Naxhije Rexhepi, studente e vitit të II-të në Fakultetin Ekonomik ka përfituar  bursë një-vjeçare për të studiuar në  Ljubljanë të Sllovenisë dhe Bionda Rexhepi  po ashtu studente e vitit të dytë në Fakultetin Juridik të Universitetit “Kadri Zeka” ka përfituar bursë një-vjeçare për të studiuar në  Split të Kroacisë për vitin akademik 2016/2017. Kurse Prof. Asoc. Dr. Xhevdet Thaqi ka përfituar si staf akademik për të qëndruar një muaj në Universitetin e Vigos të Spanjës, për të shkëmbyer përvoja akademike universitare.

Përzgjedhja është bazuar në cilësinë e propozimit, pozitën e tij relative në krahasim me kërkesat e tjera të paraqitura, buxheti në dispozicion, si dhe masën në të cilën  projekti adreson prioritetet e përcaktuara në thirrjen për propozime.

Universiteti  “Kadri Zeka” është institucioni i parë në Kosovë që i është bashkangjitur   projektit të Bashkimit Evropian,  ‘’ Erasmus Mundus GREEN TECH WB’’, si partner i plotë. Vendimi i përzgjedhjes së projektit në fjalë është bërë nga ekspertët e jashtëm te nominuar nga  Agjencia Ekzekutive për Edukimin  Audiovizual dhe Kulturë (EACEA),  në kuadër të programit ‘’Erasmus Mundus’’.