Drejtues të UKZ-së kanë pritur në takim profesorin e Iowa-së Curt Youngs

3 Qershor, 2022

Prorektorët dhe Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, kanë pritur në një takim Curt Youngs profesor në Universitetin Shtetëror të Iowa-s në SHBA.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka në emër të Rektorit Bajram Kosumi i ka dëshiruar mirëseardhje profesorit Youngs, derisa e ka njoftuar atë për punën e Universitetit në përgjithësi, që nga themelimi e deri më tani. Ai ka folur rreth  programeve të studimit, gravitetit të studentëve, bashkëpunimit ndërkombëtar, projekteve të UKZ-së dhe rreth aktiviteteve të ndryshme.

Në ndërkohë para profesorit të SHBA-së, Prorektori për Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve, Xhevdet Thaqi,  ka folur rreth zhvillimeve dhe rezultateve të arritura në arsim dhe vazhdimin e përpjekjeve të gjithë stafit të UKZ, për zhvillimin e programeve studimore të cilat do të kenë ndikim në zhvillimin e gjithmbarshëm të tregut të punës.

Profesori Curt Youngs, është pjesë e “Konsorciumit të Iowa” i cili është zgjedhur nga USAID-i në Kosovë për të marrë pjesë në procesin e bashkë-krijimit, ku ai ka shprehur interesimin e tij rreth  kurrikulave në Universitet, të mësoj për kompanitë private me të cilat universiteti ndër vepron.

UKZ dhe shteti i Iowa-s, kanë një lidhje të ngushtë bashkëpunimi, duke bërë që më herët të ketë bashkëpunim me institucione të arsimit të lartë nga ky shtet, duke u mundësuar studentëve nga shteti i Kosovës dhe Iowa-s shkëmbimin e njohurive dhe përvojave përmes ligjëratave të përbashkëta të mbajtura fizikisht dhe virtualisht.