Këshilli i Fakultetit Juridik të Universitetit “Kadri Zeka” – Gjilan, lejoi botimin e tekstit universitar: ”E DREJTA DHE ADMINISTRATA PUBLIKE”, autor Prof. Dr. Fejzulla BERISHA, Profesor në Fakultetin Juridik – Universiteti “Kadri Zeka” – Gjilan, (drejtimi kushtetues – administrativ) me bashkautorë Prof. Dr. Jusuf ZEJNELI Profesor në Fakultetin Juridik – Universiteti i Tetovës, (drejtimi kushtetues – administrativ), Doc. Dr. Argëtim SALIU, Profesor në Fakultetin e Shkencave Sociale – Universiteti “Nënë Tereza” – Shkup, (drejtimi administrim publik – shkenca politike).
Evulimi i shpejt i së drejtës dhe me këtë i administratës publike, përsosja e proceseve dhe veprimtarisë së saj, ndryshimet lidhur me organizimin dhe funksionimin e administratës, tendenca e efikasitetit në zbatimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, janë arsyet dhe obligimi kryesor lidhur me botimin e këtij teksti. Njëkohësisht, qasja për këtë botim, vjen si një domosdoshmëri e kohës, me qëllim që të plotësoj kërkesat e arsyeshme profesionale të rretheve universitare në sferën e interesit për shkencat juridike-publike.
Punimi, në përgjithësi, pasqyron zhvillimet më të avancuara në modelet e paraqitura edhe nga autorë të tjerë rajonalë e më gjerë, në fushën e së drejtës dhe administratës publike.
Autorët, në kufijtë e modestisë akademike, e emërtojnë librin ”E drejta dhe administrata publike”, duke pasur parasysh faktin se, dimensioni evolutiv në disiplinat juridike është i lartë. Punimi është një tentativë e suksesshme në përpjekjen për të përafruar kuptimin e definicionit të disiplinës shkencore ”E drejta dhe administrata publike” nga pikëpamja juridike, si edhe definicione të ndryshme doktrinale për institucione përbërëse të saj.
Autorët ezaurojnë me kurajo profesionale vështirësitë në përkufizimin e koncepteve të tilla me natyrë fenomenologjike si: shoqëria, shteti e drejta; kjo e fundit, si ”Condition sine qua non” për vazhdimësinë e ekzistencës së dy koncepteve të para. Punimi fokusohet në kuptimin e objektit të së drejtës, të studimit të ”Administratës publike”, duke u ndalur tek ecuria historike e lindjes dhe ovoluimit të së drejtës administrative, me të cilin shtjellohet studimi i objektit, administratës publike në Kosovë, 2000-2001, 2001-2008, përkatësisht, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës; organet e administratës shtetërore në Republikën e Kosovës, sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës; qeverisja lokale dhe organizimi territorial në Republikën e Kosovës; parimet e përgjithshme etj.
Gjithashtu, trajtohet organizimi dhe funksionimi i administratës shtetërore edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, përkatësisht ne Republikën e Shqipërisë, duke përcaktuar bazën juridikokushtetuese dhe funksionimin praktik të saj.
Studentët, duke lexuar, analizuar këtë botim, do të krijojnë bindjen se sa i gjerë është horizonti
kushtetues-ligjor edhe në fushën e koncepteve që kanë themeluar shkencën juridike-publike, përkatësisht, shkencat administrative. Në material është përdorur me mjeshtëri metoda krahasuese, e cila ka kërkuar, padiskutim, njohuri të së drejtës së huaj, nga pikëpamja e përmbajtjes sociale dhe politike.
Bazuar në këto konsiderata të përgjithshme, duke shfaqur kënaqësinë e veçantë për mundësinë e shqyrtimit të tekstit në këndvështrimin kritik, duam të pohojmë me bindje të plotë se, ky material, do të plotësojë me dinjitet dhe do të shtojë fondin e bibliografisë juridike mbarëshqiptare. Pas këtij botimi, autorët do të mirëpresin çdo vërejtje profesionale dhe sugjerim të sinqertë, që do t`i shërbente rritjes së mëtejshme të nivelit shkencor dhe metodik të veprës, me rastin e ribotimit të saj.
Redaktor shkencor i librit është Prof. Ass. Dr. Sadik HAXHIU Dekan në Fakultetin Juridik, Universiteti “Kadri Zeka” – Gjilan.
R E C E N S E N T E T e librit janë: Prof. Dr. Arsim BAJRAMI, Fakulteti Juridik, Universiteti “Hasan Prishtina” – Prishtinë, Prof. Dr. Qebir AVZIU, Dekan në Fakultetin Juridik, “Universiteti i Tetovës” – Tetovë, Prof. Dr. Jeton SHASIVARI, Fakulteti Juridik, “Universiteti i Evropës Juglindore” – Tetovë
Botues: Focus Print – Shkup
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan