Një delegacion i përbërë nga përfaqësues të WSG University të Polonisë po qëndron për një vizitë zyrtare në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Kjo vizitë dyditore ka për qëllim të krijojë dhe forcojë lidhjet ndërinstitucionale midis dy universiteteve, duke ofruar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik. Delegacioni i përbërë nga Doc. Dr. Eweling Gdaniec, Zëvendës Rektore për Arsimin në WSG University, dhe Bartosz Szczepaniak, Shef i Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, fillimisht janë pritur në takim nga Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, i shoqëruar nga Egzona Rexhepi, u.d. udhëheqëse e Divizionit për Projekte dhe Mobilitet, dhe Betim Berisha, u.d. udhëheqës i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Anëtarësime.
Pas këtij takimi, delegacioni ka zhvilluar bisedime me Rektorin Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, si dhe me Prorektorët e UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Shpresa Qamili prorektore për mësimdhënie dhe çështjeve të studentëve, Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa, prorektor për buxhet, financa dhe infrastrukturë, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka prorektor për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte, Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli prorektore për hulumtime dhe kërkime shkencore dhe Prof. Ass. Dr. Voglushe Kurteshi prorektore për zhvillim akademik dhe cilësi. Këto takime kanë shërbyer si platformë për të diskutuar një sërë çështjesh dhe projektesh të përbashkëta që do të pasurojnë ofertat akademike dhe kërkimore të të dy institucioneve.
Diskutimi kryesor gjatë vizitës ka të bëj me zhvillimin e programeve të përbashkëta në fushat e shkencave kompjuterike si dhe ne zhvillimin e një programi të ri për UKZ-në atë të Infermierisë duke u mbështetur në përvojën dhe programin e Infermierisë të WSG University, me fokus të veçantë në nevojat dhe interesat e përbashkëta të dy universiteteve, për diploma të dyfishta dhe programe doktorature, hapja e mundësive për studentët që të përfitojnë diploma të njohura ndërkombëtarisht nga të dy universitetet, si dhe zhvillimi i një programi doktorature për kërkuesit e rinj. Po ashtu janë diskutuar edhe përfshirja e përbashkët në programe si:ICM KA-171 dhe Erasmus CBHE, për shkëmbime studentore dhe zhvillim të kapaciteteve akademike; Horizon Europe, për projekte kërkimore dhe inovative në nivel ndërkombëtar, planifikimin e organizimit të një shkolle verore dhe një konference vjetore, që do të shërbejnë si platforma për ndarjen e njohurive dhe krijimin e rrjeteve profesionale, inkurajimi i stafit akademik të UKZ-së për të publikuar punimet e tyre në revista të WSG University, të cilat janë të indeksuara në Scopus, duke rritur kështu dukshmërinë ndërkombëtare të kërkimit shkencor nga UKZ.
Dy universitetet synojnë të ndërtojnë një partneritet të qëndrueshëm që do të kontribuojë në avancimin e cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan