Në kuadër të një nisme për zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare, delegacioni i WSG University të Polonisë ka përmbyllur me sukses ditën e dytë të vizitës së tyre në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan. Delegacioni përbëhej nga Doc. Dr. Ewelina Gdaniec, Zëvendës Rektore për Arsimin, dhe Bartosz Szczepaniak, Shef i Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Delegacioni i WSG University, ka zhvilluara takime me drejtuesit e njësive akademike, ku janë diskutuar në detaje mundësitë e bashkëpunimit akademik mes dy institucioneve, duke përfshirë, hartimin dhe realizimin e programeve të përbashkëta studimore, përfshirjen në projekte shkencore dhe kërkimore, nxitjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik përmes programeve ndërkombëtare, ku përfaqësuesit e të dy Universiteteve vlerësuan rëndësinë e ndërtimit të një partneriteti të qëndrueshëm, i cili do të ndikojë pozitivisht në rritjen e cilësisë së arsimit dhe shkencës.
Në ndërkohë nën udhëheqjen e Prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka, delegacioni vizitoi ambientet universitare, përfshirë zyrat e administratës, sallat e mësimit dhe infrastrukturën mbështetëse. Kjo vizitë ofroi një pasqyrë të qartë mbi kapacitetet dhe funksionimin e UKZ-së.
Kjo vizitë dyditore shënon një hap të rëndësishëm drejt përforcimit të lidhjeve ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe WSG University të Polonisë, për përfshirjen në zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e praktikave të mira dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Ky bashkëpunim pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në promovimin akademik dhe ndërkombëtarizim, duke i hapur rrugë një partneriteti të suksesshëm dhe afatgjatë.
Universiteti Publik “Kadri Zeka” mbetet i përkushtuar në zgjerimin e rrjetit të partneriteteve ndërkombëtare, duke ofruar studentëve dhe stafit mundësi të reja për zhvillim personal dhe profesional.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan