Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, së bashku me Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, dhe anëtaren e Këshillit Drejtues, Prof. Ass. Dr. Shejnaze Gagica, kanë vazhduar vizitën studimore në Republikën e Turqisë, në kuadër të strategjisë për thellimin e bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim institucional dhe shkencor.
Pas takimeve të suksesshme në Universitetin “Celal Bayar” në Manisa, delegacioni i UKZ-së ka qëndruar në qytetin Çanakala, ku është pritur në mënyrë zyrtare nga menaxhmenti i Universitetit “Çanakkale Onsekiz Mart” (ÇOMÜ).
Gjatë takimeve me Rektorin dhe stafin drejtues të ÇOMÜ, u diskutuan mënyrat konkrete për krijimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, me theks të veçantë në rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit përmes programit Erasmus+ KA171, organizimin e konferencave, trajnimeve dhe punëtorive të përbashkëta akademike, shkëmbimet e përvojave për zhvillimin profesional të stafit akademik dhe administrativ, zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe inovative në bashkëpunim me sektorin e industrisë.
Në përmbyllje të takimeve, u nënshkrua një Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Universitetit “Çanakkale Onsekiz Mart”, e cila vendos bazën për një partneritet të qëndrueshëm dhe të thelluar në fusha kyçe të arsimit dhe kërkimit shkencor.
Marrëveshja përfshin hartimin dhe ofrimin e programeve të përbashkëta studimore në të gjitha nivelet: bachelor, master dhe doktoraturë; bashkëpunimin në projekte Erasmus+ CBHE, VET dhe Horizon Europe; krijimin e urave të reja me industrinë për zhvillimin e projekteve të aplikueshme dhe inovative që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të të dy vendeve.
Rektori i UKZ-së, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve strategjike me institucione me përvojë dhe renome si ÇOMÜ, duke e vlerësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për përfshirjen më aktive të UKZ-së në rrjetet ndërkombëtare të arsimit të lartë.
“UKZ është i përkushtuar të zgjerojë partneritetet që sjellin ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e mësimdhënies, kërkimit dhe përgatitjes së studentëve për sfidat globale,” u shpreh Rektori Dërmaku.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan