Delegacioni i UKZ-së po merr pjesë në takimin fillestar të Projektit ERASMUS+ DELTA

23 Janar, 2025

Një delegacion i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, i udhëhequr nga Rektori, prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, po merr pjesë në takimin fillestar (Kick Off) të projektit DELTA, që po mbahet në Universitetin Europian të Tiranës. Delegacioni i UKZ-së përfshin Prorektorin për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Dekanin e Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku dhe Prodekanin e Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti.

Ky takimi shënon një hap të rëndësishëm për realizimin e qëllimeve të projektit DELTA, duke diskutuar përgjegjësitë e secilit partner, metodat e realizimit të aktiviteteve dhe zhvillimin e qëndrueshëm të projektit. Këto diskutime janë thelbësore për arritjen e objektivave të projektit dhe për të siguruar suksesin e tij në të ardhmen.

Qëllimi i Projektit ERASMUS+ DELTA është promovimi i një kulture shkëmbimi të njohurive dhe nxitja e inovacionit në mësimdhënien dhe të nxënit ndërdisiplinor në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt ka si synim të pajisë individët e institucioneve partnere me njohuri dhe aftësi gjithëpërfshirëse për leximin e të dhënave, duke përgatitur ata për integrim të suksesshëm në ekonominë dhe tregun e punës të Bashkimit Evropian.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” angazhohet plotësisht për suksesin e këtij projekti dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me qëllim që të kontribuojë në zhvillimin dhe përmirësimin e arsimit në rajon.