Delegacioni i Universitetit “Kadri Zeka”, në përbërje të Rektorit, Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi, Prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Ass. Dr. Dukagjin Leka, zyrtarja për marrëdhënie me jashtë z. Luljete Berisha dhe 17 studentët e Universitetit tonë, kanë përmbyllur me sukses vizitën e tyre studimore në Universitetin ZUG të Zvicrës.
Vizitën studimore studentët dhe menaxhmenti i UKZ-së e kanë filluar me pritjen zyrtare që iu është bërë nga Prof. Dr. Esther Kamm, Rektore e Universitetit ZUG, e cila ka falënderuar studentët e UKZ-së që kanë pranuar të qëndrojnë për vizitë studimore në Universitetin ZUG . Kurse nga ana e tij Rektori Kosumi ka falënderuar Rektoren Kamm për pritjen, duke thënë se studentët janë urë lidhëse e bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Në kuadër të kësaj vizite, Rektori Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi ka nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi me Prof. Dr. Esther Kamm, Rektore e Universitetit ZUG.
Rektori Kosumi dhe Kamm, janë shprehur të lumtur për marrëveshjet e arritura, sepse sipas tyre, ato i japin kuptim marrëdhënieve përmbajtësore në mes të dy shteteve, respektivisht mes dy Universiteteve. Sipas marrëveshjes në fjalë Universiteti “Kadri Zeka” dhe Universiteti Zug do të bashkëpunojnë mes vete edhe për pesë vitet e ardhshme. Ndryshe UKZ dhe Universiteti ZUG edhe në vitin 2017, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi.
Gjithashtu drejtuesit e Universitetit ‘’Kadri Zeka’’ dhe studentët, janë pritur në takim edhe nga Kryetari i qytetit të Zug-ut, Karl Kobelt, i cili njëherësh ka paraqitur para studentëve një prezantim të komunës që ai drejton. Studentët e UKZ kanë shprehur interesimet e tyre rreth sistemit arsimor në Zug, mundësit e shkollimit, si dhe të jetës në përgjithësi.
Në vizitën e tyre studimore, studentët e Universitetit tonë të shoqëruar edhe nga studentët e Universitetit ZUG, gjatë qëndrimit të tyre një javor në Zvicër, kanë pasur aktivitete të përbashkëta, takime e vizita në Komunën e ZUG-ut, gjithashtu ata kanë parë nga afër mënyrën e mësimdhënies dhe mësimnxënies në Universitetin ZUG, gjatë vizitës që i kanë bërë disa shkollave atje, por kanë pasur edhe vizita të tjera në qytet.
Në kuadër të vizitës studimore janë mbajtur edhe dy punëtori.
Punëtori e parë është mbajtur për robotikën, ndërsa është organizuar nga Universiteti ZUG.
Studentët gjatë punëtorisë kanë pasur rastin që nga profesorët e Universitetit ZUG të mësojnë, praktikojnë një varg veglash e aparaturash të reja inovative me të cilat kanë arritur të punojnë një aparat robotik, që vepron në bazë të direktivave të njeriut.
Kjo përvojë për studentët kanë qenë jashtëzakonisht impresionuese, derisa kanë shprehur interesimet e tyre rreth kësaj eksperience të re për ta.
Ndërsa në punëtorinë e dytë rreth migracionit, fillimisht një prezantim të shtetit zviceran për këtë temë e ka bërë Marcus Buzberger profesor i Universitetit ZUG, po ashtu një prezantim rreth perspektivës së migracionit në Kosovë e ka bërë Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Dukagjin Leka dhe zyrtarja për Marrëdhënie me Jashtë në UKZ Luljete Berisha.
Pas prezantimit studentët kosovar dhe ata zviceran janë ndarë në grupe punuese, ku kanë dhënë shembuj të tyre rreth migrimit.
Studentët si: Erza, Gresa, Mërgimi, Endriti, shprehen të kënaqur me vizitën në Zug, derisa thonë se sa i përket procesit mësimor, UKZ nuk e dallon shumë nga Universiteti ZUG. Studentët duke folur rreth vizitës në Zvicër, respektivisht në Universitetin ZUG, kanë theksuar se duke i njohur arritjet dhe sukseset e Universiteteve tjera, ne marrim njohuri dhe i ndajmë përvojat me profesionistët, në këtë rast me profesorët dhe studentët zviceran, të cilat në të ardhmen mund të ju shërbejnë për arritjet e tyre profesionale.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan