Delegacioni i UKZ-së merr pjesë në punëtori ndërkombëtare në Universitetin e Lubjanës, Slloveni

17 Janar, 2025

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte  i Universitetit Publik “Kadri Zeka”  Prof. Dr. Dukagjin Leka dhe Prodekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. Lulzim Rashiti, po marrin pjesë në një punëtori ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Lubjanës në Slloveni.

Kjo punëtori është pjesë e projektit prestigjioz EUTOPIA, i cili ka për qëllim të fuqizojë bashkëpunimin ndëruniversitar dhe të lehtësojë zhvillimin e projekteve të reja kërkimore. Punëtoria përqendrohet në dy komponentë kryesore. Propozimet për MSCA (Marie Skłodowska-Curie Actions), që përfshijnë mundësi për MSCA Rrjetin e Studimeve Doktorale dhe MSCA Rrjetin e Shkëmbimit të Personelit Universitar dhe Promovimin e inovacionit dhe përgatitjen e projekt-propozimeve për të rritur pjesëmarrjen e universiteteve në programet evropiane të kërkimit shkencor.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të UKZ-së është mundësuar nga anëtarësia e universitetit në Konferencën e Rektorëve të Evropës Juglindore, ku UKZ gëzon statusin e anëtarit me të drejta të plota.

Kjo ngjarje përfaqëson një mundësi të rëndësishme për universitetin tonë, duke krijuar hapësirë për shkëmbim përvojash, zhvillim të kapaciteteve kërkimore dhe zgjerim të rrjetit të bashkëpunimit ndërkombëtar.

UKZ vazhdon të jetë aktiv në projekte dhe iniciativa që ndihmojnë në zhvillimin akademik dhe shkencor, duke e pozicionuar veten si një institucion kyç në arsimin e lartë në rajon dhe më gjerë.