Rektori i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan Prof. Dr. Bajram Kosumi me bashkëpunëtorë, ka pritur në takim Imer Lladrovci shef i Konsullatës së Përgjithshme i Republikës së Kosovës në Stuttgart, së bashku me Avokatin Jens Kuderer, Kryetar i Shoqatës Gjermano-Kosovare, nënkryetarin Junik Tahiri si dhe anëtarët e kryesisë̈ së Shoqatës Gjermano-Kosovare.
Në këtë takim, Rektori Kosumi e ka falënderuar Konsullin Lladrovci dhe të tjerët për vizitën, derisa i ka njoftuar ata për zhvillimin e Universitetit, që nga themelimi, programet e studimit, aktivitetet, zhvillimet dhe te arriturat e gjithmbarshme. Rektori ndër tjerash ka thënë se mirëpret takime dhe iniciativat për fuqizimin e bashkëpunimit të ndërsjellët me Gjermaninë, e po ashtu edhe aktivitetet e shoqatës dhe diplomacisë tonë për thellimin e miqësisë me Gjermaninë dhe njësinë federale në Baden-Württemberg.
Kurse Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka ka folur rreth projekteve dhe bashkëpunimeve që Universiteti Publik “Kadri Zeka” ka me Universitetet vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Ndërkaq, presidenti i Shoqatës Gjermano-Kosovare, Jens Kuderer, e ka falënderuar Rektorin Bajram Kosumi për pritjen, derisa ka shfaqur interesimin për angazhim në aspektin e arsimit dhe për shkëmbimin e studentëve dhe ideve të përbashkëta. Respektivisht gjatë këtij takimi është biseduar për bashkëpunimin në mundësitë potenciale të shkëmbimit të studentëve, ku ata mund të jenë përfitues të bursave në Gjermani, që Shoqata ia ofron për të studiuar nëpër universitetet gjermane.
Konsulli Imer Lladrovci e falënderoi Rektorin Prof. Dr. Bajram Kosumi për pritjen, duke shtuar se përkrahja dhe angazhimi për ngritjen e bashkëpunimit me Gjermaninë gjithnjë e më tepër është duke u rritur.
Pas takimit delegacioni gjermano-kosovar ka vizituar bibliotekën, sallat, kabinetet dhe amfiteatrin e Universitetit për të parë më afër ambientin ku zhvillohet procesi mësimor.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan