Asambleja e Përgjithshme e Koalicionit Evropian për STEM do të implementojë Strategjinë e UE për zhvillimin e STEM Education

25 Prill, 2025

Në ditën e dytë të Asamblesë së Përgjithshme të Koalicionit Evropian për Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (EU STEM Coalition), u miratuan dokumente me rëndësi për hapat e  rëndësishëm në nivel evropian në fushën e arsimit STEM, i cili këtë vit mblodhi përfaqësues nga arsimi i lartë, arsimi profesional, industria dhe institucionet qeveritare nga Evropa.

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, që është anëtar i rregullt i Asamblesë që nga viti 2023, ishte i përbërë nga Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, Rektor i Universitetit, Prof. Dr. Xhevdet Thaqi, Dekan i Fakultetit të Shkencave Aplikative, Minire Rexhepi, Udhëheqëse e Zyrës për Komunikim me Publikun, Hidajete Jashari, Zyrtare Certifikuese, Rrezart Rexhepi, Zyrtar Administrator i Bazës së të Dhënave dhe Sistemeve. Në këtë ngjarje të nivelit të lartë, u diskutua për rolin e STEM-it në zhvillimin e qëndrueshëm të vendeve evropiane dhe për domosdoshmërinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse, bazuar në nevojat reale të tregut të punës dhe të rinisë, e të cilat do të zhvillohen në arsimin e lartë.

Në përfundim të punimeve u prezantuan dhe u diskutuan disa tema kyçe:

Letra e pozicionit mbi Planin Evropian Strategjik të Arsimit STEM, me theks në zbatimin efektiv dhe me ndikim;

Nevoja për ndarjen e praktikave më të mira ndërmjet vendeve evropiane;

Propozimi për krijimin e një Taskforce Evropiane për STEM, që do të udhëhiqte koordinimin dhe avancimin e kësaj fushe;

Qasja gjithëpërfshirëse dhe promovimi i diversitetit në STEM, me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së vajzave;

Temat për krijimin e një profili holistik STEM për çdo vend apo rajon, si kapaciteti dhe kapitali STEM, praktikat inovative në arsim, perceptimet shoqërore për STEM-in, nevojat për aftësi, politikat kombëtare, përfshirja e komunitetit dhe komunikimi publik.

Pjesëmarrësit gjatë këtij takimi theksuan se zbatimi i Planit Strategjik të Arsimit STEM duhet të jetë i përshtatur, i qëndrueshëm dhe i mbështetur në partneritet të fort. Anëtarët e Koalicionit STEM të BE-së janë të gatshëm të kontribuojnë me njohuritë, rrjetin dhe bashkëpunimin e tyre, për ta bërë këtë realitet në avancimin e arsimit STEM dhe integrimin e zhvillimeve më të fundit evropiane, duke sjellë përvojat më të mira në dobi të studentëve dhe gjithë shoqërisë.