Arritje e jashtëzakonshme e UKZ në arenën ndërkombëtare në kuadër të projekteve ERASMUS+ për vitin 2024

25 Korrik, 2024

Universiteti Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm këtë vit sa i përket bashkëpunimit në arenën ndërkombëtare në kuadër të ERASMUS+. Kjo arritje është rezultat i punës së palodhshme dhe përkushtimit të stafit akademik dhe administrativ të UKZ-së, si dhe mbështetjes së fuqishme nga studentët dhe partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte Prof. Asoc. Dr. Dukagjin Leka tha se, nga 16 projekte të aplikuara (2 si koordinator), UKZ ka arritur që në thirrjen e fundit të fitojë tre (3) projekte Erasmus+ CBHE, duke vazhduar rrugën e sukseseve në zhvillimin e universitetit nëpërmjet projekteve që financohen nga BE, respektivisht Komisioni Evropian, duke rritur ndjeshëm kapacitetet tona në fushën e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit akademik. “Ky sukses nuk është vetëm një tregues i cilësisë së punës që po bëhet në UKZ, por edhe një motivim për të vazhduar përpjekjet tona për përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së arsimit dhe kërkimit shkencor,duke u pajisu edhe me teknologji informative të cilat do të blihen me fondet e këtyre projekteve . Përmes këtyre projekteve, ne synojmë të krijojmë mundësi të reja për studentët dhe stafin tonë,  për të marrur njohuri të nevojshme për t’u përballur me sfidat e së ardhmes” ka thënë prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe projekte në UKZ .

Ai falënderon të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë arritje, menaxhmentin e UKZ, udhëhequr nga Rektori, Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, i cili ka vendosur si prioritet zhvillimin e Universitetit nëpërmjet projekteve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke sjellë përvojat më të mira nga vendet e BE dhe rajonit në UKZ. Po ashtu prorektori Leka ka falënderuar edhe  stafin akademik dhe administrativ, studentët e shkëlqyer dhe partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin. “Suksesi i arritur këtë vit është dëshmi e përkushtimit tonë për të ndërtuar një të ardhme të ndritur për studentët dhe për komunitetin e gjerë” ka thënë prorektori Leka.