Akreditohet programi studimor Master në Analiza Ekonomike dhe Politika Zhvillimore

21 Maj, 2025

Në mbledhjen 137 Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka akredituar për tri vite programin studimor në Universitetin Publik “Kadri Zeka” të Fakultetit Ekonomik, MSc. Analiza Ekonomike dhe Politika Zhvillimore.

Ky është një program i cili akreditohet për herë të parë dhe i kësaj natyre është i vetmi në Kosovë.  Programi është dy vjeçar me 120 ECTS, master shkencor në fushën e analizave ekonomik për sektorin privat dhe publik si dhe të përgatitjes së politikave ekonomike zhvillimore.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, që është edhe njëri nga bartësit e këtij programi, Prof. Dr. Xhevat Sopi, duke e vlerësuar si sukses të madh akreditimin e këtij programi, sqaron se me përfundimin e studimeve në këtë program, studentët do të fitojnë njohuri, aftësi dhe kompetenca të aplikueshme si në aspektin teorik e aq më tepër në atë praktik për të përmbushur nevojat e shoqërisë, përkatësisht institucioneve publike dhe bizneseve në mënyrë që të mund të bëjnë analiza të llojllojshme ekonomike por edhe që të kontribuojnë në hartimin e politikave zhvillimore, si në nivelin lokal ashtu edhe atë qendror. Pra qëllimet kryesore të programit janë:

  • Sigurimi i njohurive të avancuara – Pajisja e studentëve me njohuri të thelluara në teori ekonomike dhe zbatime praktike të politikave zhvillimore.
  • Zhvillimi i aftësive analitike – Trajnimi i studentëve në përdorimin e metodave bashkëkohore analitike dhe statistikore/ekonometrike për vlerësimin e proceseve ekonomike dhe sociale.
  • Promovimi i kërkimit shkencor – Nxitja e hulumtimeve cilësore dhe të aplikueshme, duke u fokusuar në nevojat reale të tregut dhe zhvillimit të shoqërisë.
  • Përgatitja për tregun e punës – Pajisja e studentëve me aftësi për të kontribuar në sektorin privat dhe publik, si dhe për të ndjekur nivele më të larta të studimeve.

Studentët e parë do të pranohen për vitin akademik 2025/26, kurse kuota e lejuar është gjithsej 30 studentë për një vit akademik.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Xhevat Sopi, i falënderon të gjithë stafin, menaxhmentin, studentët, administratën, alumnit dhe përfaqësuesit e bizneseve që kanë marrë pjesë në procesin e akreditimit të këtij programi.