Përfaqësuesit e UKZ-së marrin pjesë në takimin vjetor të ELFA në Sofje

25 Prill, 2025

Përfaqësues të Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan, respektivisht nga Fakulteti Juridik dhe Fakulteti i Shkencave Sociale, po marrin pjesë në takimin vjetor të ELFA (European Law Faculties Association), që po mbahet në Universitetin UNWE në Sofje të Bullgarisë.

UKZ në këtë ngjarje po përfaqësohet nga Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Prof. Dr. Dukagjin Leka, Dekanja e Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Fatmire Krasniqi, si dhe Ushtruesi i Detyrës së Dekanit të Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku.

Gjatë konferencës vjetore të ELFA, përfaqësuesit e Fakultetit Juridik prezantuan një punim akademik me temën “Edukimi Ligjor dhe Sfidat Mësimore në Kohën e Teknologjisë Informative”, duke kontribuar kështu në debatet aktuale për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit juridik në Evropë dhe më gjerë.

Përveç pjesëmarrjes në konferencë, janë zhvilluar një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues të universiteteve partnere, që pritet të rezultojnë shumë shpejt me marrëveshje për mobilitet dhe bashkëpunime bilaterale, me institucione të arsimit të lartë nga vende si: SHBA, Brazili, Gjermania, Austria, Norvegjia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia, Polonia, Spanja, Italia, Gjeorgjia, Rumania, Bullgaria dhe të tjera.

Fakulteti Juridik i UKZ-së është anëtar me të drejta të barabarta i ELFA, një rrjet ndërkombëtar ku tashmë janë të përfshira mbi 150 universitete nga 49 shtete në katër kontinente.