Rreth 1000 mijë aplikantë të Universitetit të Gjilanit “Kadri Zeka”, i janë nënshtruar sot provimit plotësues për pranimin e studentëve në vitin e parë të studimeve themelore – bachelor në vitin akademik 2015/2016 në afatin e shtatorit, duke konkurruar kështu për rreth 700 vendet sa janë shpallur për të studiuar në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”.
Mbarëvajtjen e provimit e kanë vëzhguar drejtues të UKZ-së. Ata u uruan studentëve të ardhshëm suksese në studime, ndërsa porositën se këtë vit do të pranohen vetëm ata të cilët kanë merita dhe se nuk do të pranohen presionet eventuale për pranim të kujtdo.
Vaxhid Sadriu, Sekretar i Përgjithshëm i Universitetit ”Kadri Zeka” në Gjilan tha se procesi provimit pranues ka shkuar mbarë dhe se sipas tij nuk ka pasur ndonjë problem ose parregullsi.
Nga 657 studentë të cilët do të pranohen në vitin e parë të afatit të dytë të studimeve themelore – bachelor në vitin akademik 2015/2016 në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka” , prej tyre do të jenë 488 studentë të rregullt dhe 169 studentë me korrespondencë. Nga numri i përgjithshëm, Universiteti do të regjistrojë 226 studentë të rregullt dhe 35 studentë me korrespondencë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, si dhe 24 studentë të rregullt nga komunitetet jo-shumicë: boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptianë dhe të tjerë. Shpallja e rezultateve të provimit pranues do të bëhet më 21.09.2015. Kandidatët që refuzohen mund t’i paraqesin ankesë Komisionit për ankesa, me date 22.09. 2015. Ankesat do të shqyrtohen me datë 23 shtator 2015. Publikimi final i rezultateve pas ankesave bëhet më datë 25 shtator 2015.
Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit të Gjilanit, Vaxhid Sadriu, ka thënë se janë bërë planifikimet me të gjitha njësitë akademike, ku regjistrimi i studentëve do të bëhet nga 28 shtator deri më 03 tetor 2015, në mënyrë që procesi mësimor të fillojë mbarë.
Copyright © 2017 Universiteti Publik KADRI ZEKA Gjilan